Ish-zyrtari amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, Edward P. Joseph, ka deklaruar se nuk mund të përcaktojë motivet pse kryeministri Albin Kurti dhe aktorë të tjerë politikë nuk e rikandiduan Vjosa Osmani për presidente.
Duke komentuar situatën, Joseph theksoi se në këtë moment kritik për vendin, vendimmarrja politike nuk duhet të udhëhiqet nga preferencat individuale.
“Nuk mund të jap një përgjigje përfundimtare se cilat ishin motivet e kryeministrit Albin Kurti apo të të tjerëve në Kuvendin e Kosovës Motivi primar duhet të jenë interesat e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.
Sipas tij, prioritet duhet të jetë ruajtja e stabilitetit institucional dhe forcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës, veçanërisht me Uashington.
Joseph nënvizoi rëndësinë që posti i presidentit të mbahet nga një figurë që ka ndërtuar besim me administratën amerikane.
“Interesat e Kosovës janë qartë dhe pa ekuivok: të ruajnë një president që ka ndërtuar një marrëdhënie respektuese dhe të respektuar me administratën në Uashington”, theksoi ai.
Megjithatë, ai përsëriti se nuk mund të analizojë arsyet konkrete të vendimeve politike, duke theksuar se fokusi duhet të mbetet te interesi shtetëror në këtë fazë të ndjeshme për Kosovën.
