Një nga historitë më të mëdha të merkatos në futbollin gjerman mori fund të premten, pasi marrëveshja për transferimin e sulmuesit të Koln-it, Said El Mala, te Borussia Dortmund dështoi.

Raportet që e lidhnin lojtarin me Dortmundin pohonin se trajneri i ri i kombëtares gjermane, Jürgen Klopp, i kishte rekomanduar 19-vjeçarit të transferohej në Signal Iduna Park.

Ish-trajneri 59-vjeçar i Dortmundit e mohoi me forcë këtë. Ai këmbënguli se nuk ishte përpjekur kurrë ta shtynte El Mala drejt klubit ku kaloi shtatë vjet si trajner.

Klopp tha: “Më bezdisi pak që njerëzit mendojnë se jam aq budalla saqë në aktin tim të parë zyrtar do të telefonoja një lojtar dhe do t’i thoja: Borussia Dortmund do të ishte një zgjedhje e mirë për ty”.

“Sigurisht që nuk e bëra këtë. Kjo nuk është puna ime”.

Duke folur për kanalet zyrtare të Federatës Gjermane të Futbollit, siç citohet nga kanali në YouTube i gazetës Kicker, ai shtoi:

“Nëse punoj me një lojtar për një periudhë më të gjatë në të ardhmen, dhe ai më pas vjen tek unë për të më kërkuar këshilla, unë do t’i jap disa këshilla. Por kjo nuk do të ndikohet nga fakti nëse kam punuar apo jo më parë në klub”.

The post Jurgen Klopp hedh poshtë akuzat: “Nuk jam aq budalla” appeared first on Telesport.