Boksieri shqiptar Jurgen Uldedaj, kampion bote i kategorisë IBO në peshën “cruiserweight” (pesha deri 90kg), do të mbrojë titullin e këtij Divizioni ndaj australianit Blake Caparello.

Dueli do të zhvillohet më 23 tetor në sallën sportive “Feti Borova” në Tiranë. Kjo është hera e parë që boksieri lezhjan do të mbrojë titullin kampion në vendlindje.

Uldedaj e fitoi këtë titull një vit më parë (25 tetor 2025) dhe e ka mbrojtur atë një herë në maj të këtij viti. Për boksieri kuqezi, kjo do të jetë mbrojtja e dytë e këtij titulli.

Jurgen Uldedaj ka një rekord prej 22 fitoresh e vetëm 1 humbje në ring, ndërsa 40-vjecari Caparella ka një rekord prej 30 fitoresh, 3 humbje e 1 barazim. Ai dikur ka qenë kampion i kategorisë IBO “lightheavyweight” (pesha deri 80kg).

“Pas Londrës. Pas Wembley. Tani është koha e Tiranës.  Më 23 tetor 2026 do të ngjitem në ringun e Parkut Olimpik “Feti Borova” për të mbrojtur për herë të dytë, titullin tim botëror IBO në peshën “cruiserweight”, shkruan Uldedaj.

“Kam kaluar vite duke ndjekur këtë ëndërr. Kam luftuar larg familjes dhe vendit tim, kam përballuar sakrifica të panumërta, kam fituar tituj dhe kam shkruar emrin tim në historinë e boksit shqiptar”, shtoi lezhjani.

Më tej, Uldedaj tha: “Por gjatë gjithë këtij rrugëtimi kam mbajtur gjallë një ëndërr edhe më të madhe: të rikthehem si kampion dhe ta mbroj titullin botëror në zemër të Tiranës, në Shqipërinë time. Tani, ai moment ka ardhur”.

“Përballë meje do të jetë Blake Caparello, ish-kampion bote IBO dhe një nga kundërshtarët më të fortë e më me përvojë të karrierës sime.Kjo është koha ime, ky është vendi im dhe ky është titulli im”, tha Uldedaj.

“Këtë herë nuk do të luftoj vetëm për një titull. Do të luftoj në shtëpinë time, përpara popullit tim, për flamurin kuqezi dhe për krenarinë kombëtare.  Më 23 tetor dua që të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, të jenë me mua. Sepse kur të ngjitem në atë ring, nuk do të jem vetëm. Pas meje do të qëndrojë forca, krenaria dhe zemra e një kombi të tërë”, tha boksieri kuqezi.

The post Jurgen Uldedaj do të mbrojë titullin kampion bote në Tiranë, më 23 tetor duel me rivalin australian appeared first on Telesport.