Një ditë pas publikimit të fotografisë së Ministrit të qeverisë VLEN-VMRO Fatmir Limanit, me krerët e opozitës shqiptare të BDI-së Ali Ahmetin dhe të ASH-së Arben Taravari në iftarin e organizuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Tiranë, Fatmir Limani doli me sqarim, pasi një gjë të tillë e kërkoi edhe VLEN-i. Limani thotë se mikpritësi i iftarit caktoi vendet se kush ku të ulet, por në një fotografi të shpërndarë në rrjet, shihet se ata ishin ulur bashkë pas iftarit dhe jo në darkën e shtruar në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.
“Në një tryezë mikpritjeje nuk shkohet për të bërë kalkulime politike dhe për të prishur sofrën, por për të respektuar traditën, mikpritjen dhe momentin e përbashkët njerëzor.
-Fotografia apo prania në një ambient të përbashkët nuk e rishkruan historinë e qëndrimeve politike të askujt.
-Ndërkohë që disa përpiqen të krijojnë dilema artificiale nga një fotografi iftari, unë jam përballë një realiteti tjetër: një përpjekje të hapur dhe përjashtuese ndaj meje, pikërisht nga ata me të cilët ndërtuam bashkë një projekt politik”, ka shkruar Fatmir Limani – Ministër për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini.
I pyetur për këtë, një nga krerët e VLEN-it, Bilall Kasami, tha se Limani ka shkuar krye më vete në Tiranë dhe jo si përfaqësues i VLEN-it. Shtoi se do të shqyrtohet edhe pozita e ministrit në qeveri si kuadër i Lëvizjes Besa, pasi siç shprehet, nuk mund të ulet në dy kolltukë.
“Si fotografi, nuk ka qenë do të kisha thënë fotografia më e mira që prezanton një ministër që edhe më tutje mbetet ministër në qeverinë, i propozuar nga VLEN apo ku është VLEN. Sigurisht që mbetet se vet z. Limani të sqaroj qëllimin dhe atë se përse është ulur me një tavolinë me Ali Ahmetin, për të cilin ai vet ka deklaruar se me asnjë farë kushti nuk do të ishte ulur bashkë me ata që i ka akuzuar si vrasës të babait të tij”, u shpreh Bilall Kasami – kryetar i Lëvizjes Besa/VLEN.
Krejt këto zhvillime po ndodhin në periudhën kur VLEN-i është në procesin e bashkimit, apo shkrirjen në një parti të vetme. Jashtë kësaj loje ka mbetur Arben Fetai i cili konsiderohej si përfaqësues I ASH-së brenda VLEN-it, stafetë të cilën tani e mori Latif Arifi, i cili mbështetet edhe nga dy figurat tjera të mbetura në VLEN, Azir Aliu e Mimoza Musa.
Në reagimin e tij të fundit, Limani shkruan se nuk është sekret që brenda VLEN-it po zhvillohet një luftë me bërryla për ta zëvendësuar me figura anonime, protagonistët kryesorë që realizuan projektin e bashkimit. Në rrethana të tilla askush nuk mund të presë që të qëndroj duarkryq, sepse siç shkruan Limani, unë jam njeri i tavolinave e jo i bodrumeve.
