Gazetare: Ajnur Bafqari

Sot filloi pastrimi i barit të lartë e të thatë, ndërsa së shpejti do të fillojë edhe riparimi i plotë i dy muzeve qe ndodhen brenda Kalasë së Shkupit. Ministri i Kulturës, Zoran Lutkov, nënvizoi se me rebalancin e buxhetit janë siguruar 8 milion denarë për rinovimin e Kalasë së Shkupit. Ai paralajmëroi që kjo hapësirë do të lëshohet në përdorim nga viti 2026, ndërsa tha se synohet që në 2028-tën, kur Shkupi të jetë Kryeqytet Evropian i Kulturës, kjo të jetë një nga hapësirat më të shfrytëzuara.

“Të dy muzetë janë në gjendje shumë të keqe, do të duhet riparim i plotë i të gjithë makinerive dhe i ajrit të kondicionuar, kemi bërë plan dhe me rebalancin e buxhetit kemi siguruar 8 milion denarë, që do të shfrytëzohen deri në fund të vitit. Menjëherë do të veprojmë drejt shpalljes së tenderit për përmirësimin e këtyre hapësirave, e më pas edhe me realizimin e të gjithë projektit që do të duhet që prej vitit 2026 të lëshohet në përdorim”, tha Zoran Lutkov, Ministër i Kulturës.

Drejtoresha e Drejtorisë për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore, Vesella Çestoeva, njoftoi se Drejtoria ka përgatitur specifikim teknik, ndërsa deri në fund të vitit do të mund t’i përfundojnë këto dy projekte infrastrukturore dhe të njëjtat do t’i vendosin në funksion.

“Do ta shpallim tenderin që të mund të hyjmë dhe të fillohet me punë. Si Drejtori për mbrojtje të trashëgimisë kulturore, në periudhën e kaluar në disa tentime, kemi provuar që të kontaktojmë me Qytetin e Shkupit, me Ndërmarrjen Publike, ‘Parqe dhe Gjelbërime’. Për fat të keq, pa sukses. Prandaj si Drejtori, ngritëm një iniciativë me BNJVL-në, me Orce Gjeorgjievskin dhe menjëherë morëm përgjigje. Në këtë kontekst është edhe aksioni I sotëm që është pjesë e planit për revitalizim të kalasë së Shkupit”, tha Vesella Çestoeva, Drejtoria për Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore“.

Në aksionin e sotëm të pastrimit, morën pjesë edhe kreu i BNJVL-së, Orce Gjorgjievski, dhe krerët e komunave Gazi Babë, Aerodrom, Gjorçe Petrov dhe Butel. Në kuadër të revitalizimit të Kalasë së Shkupit, nuk parashikohen ndërtime të reja, por vetëm kthimi në funksion i infrastrukturës ekzistuese të saj./Alsat.mk

The post Kalaja e Shkupit do të funksionalizohet, dy muzetë do të riparohen appeared first on Alsat.