Shkupi paralajmëron ndryshime në komunikacion dhe transportin publik, por edhe masa të reja për përballimin e problemit me mbeturinat. Një nga ndryshimet e paralajmëruara është legalizimi i vendkalimit për këmbësorë te Bit Pazari, ku së shpejti pritet të vendosen sinjalizim përkatës dhe semaforë.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të këshilltarëve, informoi se në vendin e kalimit aktualisht ilegal do të shënohet vendkalim për këmbësorë, ndërsa do të vendosen edhe semaforë me qëllim rritjen e sigurisë së këmbësorëve.
Sa i përket transportit publik, Gjorgjievski konfirmoi se është nënshkruar marrëveshje për furnizimin me 100 autobusë elektrikë, ndërsa autobusët e parë pritet të mbërrijnë deri në fund të këtij viti.
