Vetëm gjysmë viti pasi u ul në karrigen e kryetarit të komunës, kreu i Strugës, Mendi Qyra, ka marrë kallëzim penal nga MPB-ja, për emërim të paligjshëm të drejtorit në Ndërmarrjen komunale Publike “Ujësjellësi dhe Kanalizimi”. Nga Ministria e Brendshme thonë se kallëzimi penal ndaj Qyrës është për veprën penale “punë të pandërgjegjshme në shërbim”.
“Më 18.11.2025, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Strugës, në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike, ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës drejtor të NP ‘Ujësjellësi dhe Kanalizime’- Strugë, me çka ka emëruar M.J. nga Struga, edhe pse e ka ditur se ai nuk ka arsimim të duhur dhe nuk ka as certifikatë adekuate për njohjen e gjuhës angleze, dhe nuk i plotëson disa kushte të tjera të Ligjit për Ndërmarrje Publike”, deklaroi MPB.
- Në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike, ka marrë vendim për emërimin e ushtruesit të detyrës në ‘Ujësjellësi dhe Kanalizime’- Strugë
Në kallëzim penal theksohet se Qyra i ka mundësuar drejtorit tashmë të shkarkuar të përfitojë kundërligjshëm të ardhura në bazë të pagës dhe kontributeve, si drejtor i NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime” – Strugë. Kreu i Strugës, Mendi Qyra në një bisedë telefonike për Alsat tha: “Për herë të parë po dëgjoj nga ju për kallëzimin. Nuk kam asnjë informacion nga Prokuroria Publike. Sapo të marr informacion do t’ju njoftoj”.
Ndërkohë, vitin e kaluar, stacioni policor në Strugë kërkoi nga Gjykata Themelore në Strugë nisjen e procedurës për kundërvajtje ndaj Qyrës dhe Komunës së Strugës, sepse si organizatorë të Ditës së Flamurit Shqiptar, nuk e kanë vendosur flamurin shtetëror./Alsat.mk.
The post Kallëzim penal ndaj kreut të Strugës Mendi Qyrës, për punë të pandërgjegjshme appeared first on Alsat.
