Kaltrina Zekolli Shaqiri: gratë kanë rol në ndërtimin e demokracisë, forcimin e paqes dhe avancimin e proceseve integruese evropiane.

Sot, Çairi u shndërrua në qendrën e lidershipit dhe fuqizimit të grave shqiptare, duke mbledhur në një platformë të përbashkët gra lidere, vendimmarrëse dhe profesioniste nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Një falënderim i veçantë për Kryetarin e Komunës së Çairit, z. Izet Mexhiti, për mbështetjen dhe gatishmërinë që kjo konferencë të realizohet në këtë nivel.

Nën temën “Imazhi politik i gruas shqiptare: lidershipi, paqja dhe identiteti evropian”, kjo konferencë vuri në pah rolin e pazëvendësueshëm të grave në ndërtimin e demokracisë, forcimin e paqes dhe avancimin e proceseve integruese evropiane.

Përmes diskutimeve të thelluara në sesione dhe panele, u dëshmua se gratë shqiptare nuk janë më vetëm pjesë e përfaqësimit formal, por një forcë reale vendimmarrëse, me vizion, guxim dhe potencial për të udhëhequr ndryshimin në shoqëritë tona.

Kjo konferencë shërbeu si një hapësirë e fuqishme bashkëpunimi dhe rrjetëzimi rajonal, duke ndërtuar ura të reja komunikimi dhe duke forcuar zërin e gruas në politikë, qeverisje dhe zhvillim ekonomik.

Me miratimin e Deklaratës së Çairit, vendosëm një drejtim të qartë për veprimet tona të përbashkëta në të ardhmen, duke e konsoliduar këtë iniciativë si një platformë të qëndrueshme për fuqizimin e grave dhe rritjen e ndikimit të tyre në vendimmarrje.

Faleminderit të gjitha pjesëmarrëseve për energjinë, përkushtimin dhe kontributin e tyre. Bashkë, më të forta se kurrë.