Si në Itali ashtu dhe në Angli, kudo që ka drejtuar dhe fituar, trajneri Antonio Conte ka patur pranë një njeri të besuar që e ka mbështetur në punën e tij. Bëhet fjalë për Cristian Stellini, që prej 15 vitesh është asisteni i Conte.
“Pesëmbëdhjetë vjet me Conte? Është shumë bukur të punosh me të, por asnjëherë nuk ndihesh rehat. Duhet të jesh gjithmonë gati, të punosh shumë dhe të kesh respekt të madh për të gjithë. Ky i fundit është aspekti më i rëndësishëm që unë prirem të shikoj”, tha Cristian Stellini.
Aktualisht është në detyrën e ndihmës-trajnerit të Napoli, si gjithnjë pas Conte: “Roli i ndihmës-trajnerit ka evoluar shumë me kalimin e viteve. Unë ndalova së luajturi në vitin 2010 dhe që atëherë stafi ka ndryshuar shumë. Janë më shumë dhe secili anëtar ka një funksion”.
“Ndihmësi është bërë paksa ndërmjetësues mes trajnerit dhe stafit. Trajneri sot ka shumë gjëra për të menduar, duke përfshirë aspektet mediatike dhe shpenzon shumë energji për gjëra që ndoshta dikur nuk ishin bërë”, shtoi Stellini.
“Dikur stafet ishin të vogla dhe kishte pak punë për trajnerin jashtë. Unë fillova të punoj me Conten si asistent-teknik. Ai është i lindur për të fituar. Analizimi i ndeshjeve dhe seancave stërvitore është aspekti më i dashur për mua dhe në të cilin fokusohem shumë”, deklaroi ai.
The post “Kam 15 vite që punoj me Conte, i lindur për të fituar tituj por me të nuk ndihesh asnjëherë rehat” appeared first on Telesport.
