Serbia me strategji të caktuar po e mban ushtrinë në afërsi të kufirit me Kosovën dhe në vendbanimet e populluara me shqiptarë, tha në Daily Click deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi. Ai shtoi se kjo bëhet edhe me qëllim që mos të ketë investime të biznesmenëve në rajonet e banuara me shqiptarë.

“Aktualisht njohuritë e tona flasin se janë 48 mini-baza ushtarake dhe të xhandarmërisë në kufijtë e Serbisë me Kosovën, shumica prej tyre janë në Preshevë, Bujanoc dhe në Medvegjë. Në vendbanimet ku etnikisht janë të pastra me shqiptarë. Kur çdo ditë ke qarkullime të ushtrisë, të forcave speciale në ato vendbanime. Kur në qytetin e Preshevës dhe Bujanocit duken njësitet speciale, ushtria, policia qarkullon çdo ditë, kjo jo vetëm që shkakton indinjatë te popullata, por shkakton frikë edhe t investitori potenciale, i cili edhe po të ketë plan të investojë, frikësohet që kapitalin e vet ta sjell në një rajon i cili duket se nuk është stabil”, tha Kamberi.