Në fshatin Kamnjan, në rrëzë të Sharrit, rrotullohet ende një gur që ka përjetuar katër shekuj histori. Është mulliri i vetëm që i ka mbijetuar kohës në këtë vendbanim, ndërkohë që dikur në këtë fshat kanë ekzistuar mbi 11 të tillë. Sot, vetëm ky mulli vazhdon të punojë – një dëshmi e gjallë e traditës dhe qëndresës.
Banorët e njohin si “mulliri i axhës Lutë”. Për fat të keq, axhën Lutë nuk arritëm ta takojmë, por për historinë e këtij mulliri na foli Mahir Rexhepi, kryetari i bashkësisë lokale, i cili me krenari rrëfen për pasurinë kulturore që ende rrotullohet në Kamnjan.
“Mulliri është i vetmi i kohëve të fundit në Kamnjan. Flitet se ka pas edhe mulli të tjerë por për fat të keq nuk i kanë rezistuar kohës dhe është i vetmi mulliri axhës Lutë. Do ishte mirë që axha Lutë të jetë, por për fat të keq nuk është këtu. Në bazë të informacioneve që kam dhe në bazë të gojëdhënave, mulliri është afër 400 vjeçar dhe është funksional dhe funksionon mirë. Bluhet misëri këtu. Nuk e ka kapacitetin si më parë, por në bazë të nevojës axha Lutë ua përgatitë”, tha Mahir Rexhepi.
Por ky mulli nuk shërben vetëm për bluarjen e drithit – ai është kthyer edhe në një pikë shprese për shërim. Çdo ditë, qytetarët vijnë për të marrë ujë nga mulliri, sidomos për fëmijët që ende nuk flasin. Sipas Rexhepit, ky ujë “i bekuar” ka udhëtuar deri në Afrikë – një tregues se besimi në fuqinë e tij ka kapërcyer kufijtë.
“Në këtë mulli vijnë njerëzit dhe marrin ujë për fëmijët që nuk flasin. Është i nohur shumë dhe vijnë njerëz nga shumë vende. Kemi pas nga Kosova, Shqipëria dhe vet ishe prezent që kishte nga Kumanova që morën ujë për fëmijën tre vjeçar që nuk folë dhe ishalla i bën mirë. Pronarja na tregoi më parë se deri në Afrikë ka arritur uji. Njerëzit që kanë nevojë mund të vijë lirishtë të vijnë të marrin ujë për fëmijët e tyre”, tha ai
Fshati Kamnjan ndodhet vetëm tetë kilometra larg qytetit të Tetovës. Mulliri është i vendosur në rrugën që të çon drejt ujëvarave të Kamnjanit – një lokacion turistik që pas pandemisë është kthyer në një ndër destinacionet më të preferuara për vizitorët. Kështu, vizita në këtë mulli shndërrohet në një përvojë të plotë – një ndërthurje e historisë, natyrës dhe besimit popullor që nuk shuhet.
