Një përballje mes David Benavidez dhe Oleksandr Usyk mund të jetë në horizont, pasi amerikani pretendon se po zhvillohen bisedime me ukrainasin. Të dy boksierët janë të pamposhtur dhe Benavitez mban titujt e peshës “cruiserweight”, peshë ku dikur ka dueluar edhe Usyk.
Usyk po i afrohet fundit të karrierës së tij të pasur me suksese. Ai ka fituar titujt e padiskutueshëm si në peshën “cruiserweight”, ashtu edhe në peshën e rëndë. Një duel tejet joshës mes tyre është përfolur dhe “përbindëshi meksikan” (The Mexican Monster) thotë se tani kjo është një mundësi reale.
Benavidez, i cili mban titujt WBO dhe WBA në peshën “cruiserweight”, do të jetë vetëm një brez larg kurorëzimit si kampion i padiskutueshëm nëse mposht kampionin e WBC, Michal Cieslak, më 5 dhjetor në Arizona. Një fitore e tillë do të forconte pozitat e tij për një duel me Usyk.
Amerikani shpreson ta bindë Usyk-un të zbresë në peshën “cruiserweight”, nëse ai vetë arrin të fitojë të katër titujt, duke e bërë duelin Benavidez-Usyk një përballje për titullin e padiskutueshëm. “Kemi folur me Usyk-un që ai të zbresë në peshën ‘cruiserweight’,” tha ai për Fight Hub TV.
“Do të ishte për titullin e padiskutueshëm. Për momentin, ai nuk mban asnjë brez në peshën e rëndë. Ai ka qenë kampion këtu dhe ka shansin të duelojë me mua për t’i rimarrë ato”, tha Benavidez.
Benavidez pranon se një përballje me Usyk-un në peshën e rëndë do të ishte një ngjarje madhore, por beson se pjesa në lojë do të ishte më e madhe në peshën “cruiserweight”. “Sigurisht që do të ishte një duel i madh në peshën e rëndë, por do të kishte më shumë peshë historike nëse ky dyluftim do të zhvillohej për të katër brezat; megjithatë, mbetet për t’u parë“, tha më tej Benavidez.
“Nëse duan që unë të ngjitem në peshën e rëndë, nuk më bëhet vonë fare. Unë dua të ndeshem me më të mirët dhe nëse më duhet të ngjitem atje për të luftuar pa pasur breza në lojë, do ta bëj. Unë dua respektin që më takon dhe do ta fitoj atë në një mënyrë apo në një tjetër“, tha amerikani.

The post Kampioni i pamposhtur i botës zbulon bisedimet me Usyk: E ftoj për titujt në peshën “cruiserweight”, gati edhe në peshën e rëndë appeared first on Telesport.
