Kanadaja do të përshpejtojë përpjekjet për të ulur varësinë ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, ka deklaruar kryeministri Mark Carney.

Deklarata e tij vjen pasi hynë në fuqi tarifat hakmarrëse kanadeze ndaj mallrave amerikane, me vlerë rreth 20 miliardë dollarë. Kanadaja tashmë pret përgjigjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Carney tha se katër dekada të integrimit të thellë ekonomik i kanë bërë dy vendet tepër të varura nga njëra-tjetra, duke theksuar se në shumë raste SHBA-ja ka kërkuar varësi dhe jo partneritet të vërtetë ekonomik.

Sipas tij, qeveria kanadeze do të fokusohet në rritjen e investimeve, zhvillimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e partneriteteve tregtare me vende të tjera.

Carney pranoi se masat amerikane do të kenë pasoja në afat të shkurtër, por tha se mosveprimi do të ishte edhe më i kushtueshëm.

“Ne e kemi orientuar ekonominë drejt partnerëve të besueshëm. Ajo kohë ka marrë fund”, tha Carney.