Policia ka sekuestruar mbi 25 tonë mjete piroteknike në dy automjete dhe në një magazinë të një kompanie, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për rastin në fjalë janë arrestuar dy persona nga Shkupi, njëri zyrtar policor nga Stacioni i Policisë “Bit Pazar” në Shkup.

“Më 24.12.2025, në orën 08:35, në pikën e pagesës Gradskо, punonjës policie nga Stacioni Policor i Kavadarit, në bashkëpunim me Njësinë për Tregti të Palejuar të Armëve, Materialeve të Rrezikshme dhe Radioaktive pranë Drejtorisë për Policinë Kriminale, privuan nga liria N.R. (41) dhe I.R. (41), të dy nga Shkupi. Gjatë kontrollit të një automjeti transportues “Peugeot Boxer” me targa të Strugës, i drejtuar nga N.R., me pasagjer I.R., punonjës policie në Stacionin Policor Bit Pazar, u gjet dhe u sekuestrua një sasi e madhe mjete piroteknike për të cilat nuk posedonin asnjë dokumentacion. Ata deklaruan se ato i përkisnin një personi juridik nga Shkupi. Më vonë, gjatë masave shtesë, para magazinës së personit juridik u gjet edhe një automjet tjetër transportues i mbushur me mjete piroteknike, i cili ishte lënë i braktisur. Ndërkohë, me urdhër gjyqësor, sot u krye kontroll i magazinave të personit juridik, ku u gjetën dhe u sekuestruan mbi 25 tonë mjete piroteknike. Njësia për Tregti të Palejuar të Armëve, Materialeve të Rrezikshme dhe Radioaktive, në koordinim me Stacionin Policor të Kavadarcit, do të ndërmarrë të gjitha masat për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe, pas kompletimit të dokumentacionit, do të paraqitet kallëzim i përshtatshëm sipas nenit 396, paragrafi 7 i Kodit Penal”, thonë nga MPB.