Ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës në Shqipëri, Enea Karakaçi tha se nisja e punimeve për linjën 400 Kv mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është një investim për sigurinë zhvillimin dhe integrimin e përbashkët evropian mes dy vendeve, përcjell TV21. Karakaçi tha se Shqipëria ka arritur të realizojë 80% të punimeve për ndërtimin e linjës energjetike që është pjesë e Korridorit 8.
“Pikërisht projekti i linjës 400 Kv Elbasan-Manasti, është një nga hallkat më të rëndësishme të korridorit energjetik lindje-perëndim, pjesë e rëndësishme e Korridorit 8. Ai përmbyll një boshllëk historik në rrjetin rajonal dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë midis sistemeve tona energjetike, duke e rritur ndjeshëm sigurinë e furnizimit për të dy palët dhe duke shërbyer si një instrument që garanton angazhimet e dy shteteve për integrimin rajonal dhe evropian të tregjeve tona. Kjo linjë nuk është vetëm projekt bilateral, është pjesë e një vizioni më të gjerë, Korridorit 8 energjetik. Duke e vlerësuar maskimalisht këtë projekt, ne kemi investuar intensivisht në pjesën e linjës që kalon përmes Shqipërisë dhe me krenari por më mirëkuptoni, jo për efekt të bërjes së konkurrencës, mund të themi se kemi arritur në 80% të punimeve për ndërtimin e linjës në territorin shqiptar”, theksoi Karaçi.
