Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, dha një intervistë në emisionin “Opinion” në TV Klan, me gazetarin Blendi Fevziu, ku foli për fitoren historike ndaj Serbisë, rrugëtimin e Kombëtares drejt Botërorit 2026 dhe ndeshjen miqësore të sotme ndaj Jordanisë në “Air Albania”.

Pyetja më pikante ishte për kartonin e verdhë të Rey Manajt, i cili festoi me simbolin e shqiponjës:

“Nuk të jep njeri kartonë të verdhë për mënyrën se si feston, e aq më shumë kur ti feston me simbolet e tua nacionale. Kjo është një “idiotësi” që e kam dëgjuar, sepse është një situatë gëzimi, e pazakontë, që Shqipëria arrin një fitore të rëndësishme dhe të gjithë tani duan të marrin një lloj protagonizmi, qoftë edhe nëpërmjet termave nacionaliste. Nuk ka asnjë lidhje me festimin e Manajt. Festimi ishte pranë pankinës së Serbisë dhe për këtë është ndëshkuar. Vetë futbollistët më thanë që futbollistët e Serbisë u sollën në mënyrë shumë korrekte dhe nuk lëvizën nga pankina. Por vajtja atje krijon një lloj incidenti.

Arbitri është një nga më të mirët. Ka gjykuar finalen e Champions League, PSG – Inter, apo ka arbitruar edhe në “Air Albania” finalen e Conference League, Roma – Feyenoord. Ndeshja nuk besoj që kishte ndonjë gjë që të mbetej e diskutueshme. Ishte një ndeshje korrekte, sportive, një sjellje shumë e mirë e futbollistëve të dy skuadrave. Nuk kishte shumë momente për të diskutuar, nuk kishte asnjë moment për të ndërhyrë VAR-i, pra nuk mund të diskutohet për arbitrimin.

Duke u shqetësuar nga këto komente, kemi kërkuar një interpretim se pse u dha kartoni i verdhë dhe na është sqaruar që kartoni i verdhë është dhënë për vendin ku u festua, sepse provokon futbollistët e ekipit tjetër. Futbollistët tanë festojnë me shqiponjë kudo që luajnë dhe nuk mund të penalizohet ky simbol. Nuk ka asnjë lidhje”, u shpreh Duka. m.p.

The post Kartoni i verdhë i Manajt, ky është reagimi i presidentit Armand Duka appeared first on Telesport.