Kasami: Ata që e shitën gjysmën e Tetovës, më akuzojnë mua për shitje të pronës publike

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, në një intervistë për “Ora24” ka folur për çështjen e Monopolit, ku tha se ajo tokë është privatizuar nga Qeveria e BDI-së.

Kasami tha se akuzohet nga BDI, me qëllim që opozita të mbulojë dështimet dhe keqmenaxhimin e tyre.

“Ata që e shitën gjysmën e Tetovës më akuzojnë mua se kam shitur prona publike. Atë që e bëra unë në rastin e Monopolit është procedurë normale që e ka bërë çdo kryetar komune dhe do ta bëjë në të ardhmen. Është procedurë e formësimit të tokës, nëse partneri privat ka një pjesë të konsiderueshme brenda një parcele ndërtimore, nëse në atë parcelë ka edhe tokë shtetërore, në bazë të ligjit je i detyruar që t’ia shesësh atë parcelë. Por, pyetja duhet të bëhet se kush ia shiti fillimisht tokën pronarit që sot ndërton tek Monopoli, që më pas të më detyrojë mua t’ia formësojë atë tokë për të mund të ndërtuar”.

“Ai fillimisht ka bërë privatizimin e asaj toke në vitin 2014 kur BDI ishte në pushtet, pastaj ligjërisht kam qenë i detyruar që ta formësojë atë tokë. Kjo është çështje e pushtetit qendror, pasi privatizimin e bënë Ministria e Financave. Edhe ky është një rast tipik se akuzojnë me gjëra të paqena. Ata ia shitën Shik Jellakun një biznesmeni kontroversi, dhe nëpërmjet akuzave ndaj meje mundohen ta mbulojnë veten e tyre. Procedura sikur Monopoli janë bërë me dhjetëra”, tha Kasami.

Ai u përgjigj edhe për çështjen e kryqin në Kodrën e Diellit, ku tha se është vendosur me marrëveshje LSDM-BDI pa lejen e Komunës së Tetovës.