Kanë përfunduar 5 nga 6 ndeshjet e javës së 33-të dhe të fundit për këtë sezon në Kategorinë e Parë. Në ndeshjet e sotme nuk është se ka pasur ndonjë befasi, pasi janë rezultate që priteshin.
Lushnja është mposhtur në shtëpi 1-4 nga Kastrioti, duke e mbyllur kështu në vend të fundit dhe do të luajë në Kategorinë e Dytë vitin tjetër. Bashkë me lagunarët në Kategorinë e Dytë zbret edhe Apolonia, e cila ndeshjen e fundit barazoi 4-4 me Burrelin.
Kukësi fiton 2-1 ndaj Besës dhe përfundon në play-out, ku do të ndeshet me një ekip të Kategorisë së Dytë. I njëjti fat edhe për Luftëtarin, që ndeshjen e fundit fitoi në shtëpi 3-0 ndaj Pogradecit.
Në ndeshjen e fundit për sot, Korabi barazoi 1-1 me Ilirinë. 4 ekipet që do të shkojnë në play-off për të përcaktuar finalistin e madh që do të ndeshet në play-out me ekipin e renditur i teti në Abissnet Superiore janë: Pogradeci, Iliria, Besa dhe Kastrioti.
Dy vendet e para që tashmë dihet që do të luajnë në Superiore sezonin e ri janë: Skënderbeu dhe Laçi. Nesër në Korçë, dy ekipet do të ndeshen mes tyre për të përcaktuar vendin e parë të këtij sezoni. Skënderbeu kryeson me 77 pikë, Laçi ndjek me 76 pikë.
The post Kategoria e Parë: Mbyllet sezoni i rregullt, ja verdiktet. Nesër luhet finalja për vendin e parë appeared first on Telesport.
