Gazetar: Zekirija Haxhiu

Dhjetëra raporte nga Enti Shtetëror për Revizion për institucione të ndryshme janë përgatitur periudhën e fundit. Shumica prej tyre kanë përfunduar në Prokurori por rrallë, për të mos thënë asnjëherë, nuk përfundojnë edhe në Gjykatë. Revizioni çdo vit përgatitë revizione për efikasitetin e punës dhe mjetet e harxhuara të ministrive, komunave, ndërmarrjeve e institucioneve por përgjegjësi për shkeljet e konstatuara qytetarët rrallë herë mund të dëgjojnë.

Alsat dërgoi pyetje deri te Prokuroria Publike për atë se për cilat raporte të revizionit së fundmi kanë hapur lëndë. Nga atje shprehen se veprojnë ndaj çdo raporti pa asnjë përjashtim, edhe pse në opinion, rrallë dëgjohet për këtë.

“Prokuroria Publike vepron ndaj të gjitha raporteve të dorëzuara nga Enti Shtetëror për Revizion. Gjatë procedurave, Prokuroria kohë pas kohe njofton trupin e revizorëve. Prokuroria ngritë procedura në të gjitha rastet ku nga dëshmitë dalin elemente të veprave penale. Shkeljet dhe anomalitë ligjore janë në kompetenca të organeve të tjera”, thonë nga Prokuroria Publike.

Megjithatë, nga Prokuroria Publike nuk tregojnë konkretisht për cilat raporte kanë ndërmarrë masa dhe kanë hapur lëndë. Kujtojmë se periudhën e fundit, Revizioni publikoi raporte me keqpërdorime dhe lëshime të shumta në Teatrin Shqiptar, në Akademinë e Gjykatësve dhe Prokurorëve, në Institutin e Shëndetit Publik, Ministrinë për Politikë Sociale, Gjykatën e Kumanovës, Ministrinë për Sistem Politik, Komunën e Sarajit, Komunën e Kërçovës, Fondin për Inovacione, Lotarinë Shtetërore e shumë institucione të tjera.

Lëshimet e konstatuara kanë të bëjnë kryesisht me procedurat e furnizimeve publike, harxhimin pa kontroll të buxheteve, punonjës që nuk paraqiten në punë dhe marrin paga, pagesa paushallë të rrogave dhe shtesave e të tjera.

Në programin për punë të Revizionit për vitin 2026, janë planifikuar të realizohen së paku 237 revizione. 217 prej tyre do të jenë revizione të rregullsisë, 13 të efikasitetit, 3 të harmonizimeve dhe 4 për propozimet e raporteve të mëparshme. /Alsat.mk

The post Keqpërdorime me bollëk, përgjegjësi aspak! Ku përfundojnë raportet e Revizionit? appeared first on Alsat.