Ide e re për objektin e spitalit të Kërçovës, i cili ka mbetur u pa përfunduar, ndonëse ka nisur prej pothuajse 4 dekadave. Ministri i shëndetësisë Azir Aliu thotë se ky objekt do të shndërrohet në Shtëpi të Shëndetit, ndërsa sipas tij spitali i përgjithshëm do të ndërtohet në një hapësirë krejtësisht të re.
“Spitali Kërçovës është e vërtetë se më shumë se 30 vite flitet dhe nuk investohet brenda me qëllim që të përfundojë diçka dhe asnjëherë nuk ka përfunduar. Rezultoi që infrastruktura Në këtë spital nuk është e denjë si në aspekt të dhënies së shërbimeve shëndetësore gjithashtu edhe në aspekt të kapaciteteve minimum që duhet t’i plotësojë, andaj u vendos që kjo hapësirë ne të cilën është investuar prej vitesh të shndërrohet në shtëpi shëndetit. Ndërsa Spitali i Kërçovës do të bëhet i ri në një hapësirë fizike tjetër që do të jetë pak më larg nga ky objekt që është investuar me vite”, tha Azir Aliu.
Aliu tha se projektet për spitalin e Kërçovës, Shtipit dhe Tetovës kanë arritur në fazën e ofertuesit.
“Investimi nuk bëhet me kredi hungareze, por do të bëhet me G2G programet që i kemi me Britaninë e Madhe. Kanë mbaruar procedurat administrative, para dy tre ditësh kemi pasur procedura administrative me bankat me te cilat ne kemi prezantuar projektet për në Shtip, Tetovë dhe Kërçovë ndërsa tani presim ofertuesit”, deklaroi Aliu.
Objekti i spitalit në Kërçovës ka filluar të ndërtohet para pothuajse 40 vitesh dhe asnjëherë nuk ka përfunduar. Qytetarët marrin shërbimet në spitalin e vjetër i cili funksionon me kushte që lënë shumë për të dëshiruar.
