Në rajonin e Pollogut po ndërtohet me të madhe. Të dhënat nga Enti shtetëror për statistika thonë se vetëm në muajin maj nga ky rajon janë kërkuar 146 leje ndërtimi. Në Komunën e Tetovës, gjatë vitit 2025 ka gjithsej 132 lëndë, prej të cilave 49 janë leje ndërtimi, ndërsa 36 janë projekte infrastrukturore të ndërmarra nga vetë komuna.


“Nga nëntori i vitit 2021, deri më sot në vitin 2025 janë punuar 625 lëndë, me përmbajtje të ndryshme, si leje ndërtimi, mbindërtime, ndërtime shtesë, rikonstruime, adaptime mure rrethuese, panele fotovoltaike, projekte infrastrukturore. Në vitin 2024 gjithsej kemi 89 leje ndërtimi, nga të cilët tre janë projekte infrastrukturore të komunës së Tetovës. Në vitin 2025 gjithsej kemi 49 leje ndërtimi nga të cilët 36 janë projekte infrastrukturore të komunës së Tetovës”, tha Besarta Ramadani, zëdhënëse e Komunës së Tetovës.

Në Komunën e Bogovinës, ndërtimet janë kryesisht për shtëpi. Kryetari i Komunës, Besnik Emshiu, thotë se për të ndërtuar në këtë komunë është e domosdoshme leja e ndërtimit dhe se kjo praktikë po respektohet nga të gjithë qytetarët. Përjashtim bëjnë mërgimtarët, të cilëve u mundësohet që procedurat për marrjen e lejes t’i përfundojnë gjatë qëndrimit në vendlindje.

“Në vitin 2025 i kemi 43 leje ndërtimi për shtëpi dhe kemi 21 leje ndërtimi për projekte të komunës. Bisedohet për leje të projekteve të komunës, siç janë për ndërtimin e sallës së sportit në Bogovinë dhe leje duhet të jepet për të gjithë projektet që ndërtohet. Duhet të kemi leje edhe për ndërtimin e rrugëve, shkolla, çerdhe, tualete. Shumica e respektojnë, por pasi që kemi mërgimtar, kemi raste kur ata e fillojnë punën dhe ndërkohë e nxjerrin dokumentin për lejen e ndërtimit. Ne nuk i pengojmë për shkak se janë mërgimtar dhe në momentin kur vijnë në shtëpi i bëjnë ato punë dhe ndërkohë i kryen ato punë”, tha Besnik Emshiu, kryetar i Komunës së Bogovinës.

Kërkesa e lartë për hapësira banimi në qytetet më të mëdha ka ndikuar në rritjen e numrit të ndërtimeve, duke çuar edhe në rritjen e çmimeve të banesave në Tetovë. Aktualisht, çmimi për një metër katror në Tetovë varion nga 1.200 deri në 1.700 euro.