Qytetarë të revoltuar kërkuan pezullimin e kandidaturës së prokurorit të Koçanit, Borçe Janev, për Prokurorinë e Lartë Publike, duke e akuzuar për mosveprim para tragjedisë në diskotekën “Pulse”, si dhe kundërshtuan kërkesën për përjashtimin e prokurores Natasha Saramandova nga rasti.
Në reagimin e tyre, ata i bënë thirrje Prokurorit Publik të Shtetit të refuzojë kërkesën për përjashtimin e Saramandovës dhe të hapë hetim për përgjegjësinë e Prokurorisë së Koçanit në periudhën para tragjedisë.
Kërkesa e plotë
Të nderuar,
Qytetarë dhe familjet e viktimave po dëshmojnë me indinjatë një teatër monstruoz, në të cilin sistemi i drejtësisë po e vret drejtësinë për t’i shpëtuar kuadrot e veta me toga. Kërkesa e mbrojtjes për përjashtimin e prokurores Natasha Saramandova – e vetmja që tregoi integritet profesional duke paraqitur në detaje provat materiale kyçe në Gjykatën Penale – përbën një linçim të orkestruar ndaj së vërtetës. Fakti që avokatët e të akuzuarve kërkojnë largimin e saj, ndërsa nuk kanë asnjë vërejtje ndaj prokurorit të Koçanit, Borçe Janev, e zbulon të gjithë lojën e pistë që zhvillohet në prapaskenë.
Për më tepër, informacionet që vijnë nga qarqet e drejtësisë se Borçe Janev po përgatitet të avancohet në Prokurorinë e Lartë Publike kanë shkaktuar zemërim të madh. Pozita e tij më e lartë do të ishte një shpërblim i drejtpërdrejtë për heshtjen e tij shumëvjeçare, e cila mundësoi tragjedinë ku humbën jetën të rinj. Borçe Janev nuk duhet të avancohet në karrierë – vendi i tij është në bankën e të akuzuarve për bashkëpërgjegjësi dhe mosveprim!
Publiku kërkon përgjigje nga institucionet kompetente për këto dështime të rënda:
- Katër vjet verbëri e qëllimshme si shef i Prokurorisë Themelore Publike në Koçan: Si drejtues i ndjekjes penale në Koçan, Borçe Janev për vite me radhë i mbajti në sirtar provat për funksionimin e paligjshëm dhe të pasigurt të diskotekës. Ai lejoi që inspektorët lokalë dhe kontrollorët tatimorë të qarkullonin leje të rreme për një objekt që nuk i plotësonte as kushtet minimale të sigurisë. Mosveprimi i tij mundësoi drejtpërdrejt katastrofën.
- Bashkëpërgjegjësi profesionale përmes mosveprimit: Si anëtar i Këshillit Lokal për Parandalim në Koçan, Janev i kalonte me indiferencë raportet për rreziqet e sigurisë në diskotekën “Pulse”. Prania e tij pasive në mbledhje nuk ishte paaftësi, por një heshtje e vetëdijshme institucionale. Ai kishte kompetencë ligjore ta mbyllte objektin me një nënshkrim, por zgjodhi rehatinë e postit në vend të sigurisë së qytetarëve.
- Paradoksi i shekullit – nënshkroi vetë provën e fajit të tij: Janev personalisht nënshkroi aktakuzën ku evidentohen plot 13 vjet dështime sistematike dhe korrupsion në institucionin që ai drejtonte. Me këtë akt ai pranoi me shkrim se për vite të tëra kishte qenë i verbër, i shurdhër dhe i paaftë për ta kryer detyrën për të cilën paguhej nga qytetarët.
- Komplot institucional për largimin e Saramandovës: Prokurorja Saramandova nisi në sallën e gjyqit të paraqesë dokumente që çojnë drejtpërdrejt te përgjegjësia e Prokurorisë Themelore Publike në Koçan. Frika se përgjegjësia po afrohet te strukturat lokale dhe vetë Janev aktivizoi mekanizmat e nëndheshëm të drejtësisë. Prandaj mbrojtja kërkon largimin e saj urgjent, me qëllim që rasti të zvarritet dhe përgjegjësia të fshihet.
Për të gjitha këto arsye, në emër të publikut dhe qytetarëve të revoltuar, bëjmë këtë kërkesë publike:
Drejtuar Këshillit të Prokurorëve Publikë: Menjëherë dhe pa vonesë të pezullohet dhe të refuzohet kandidatura e Borçe Janevit për Prokurorinë e Lartë Publike. Nëse i lejoni të avancojë mbi eshtrat e fëmijëve të djegur, Këshilli do të bëhet mbrojtës dhe bashkëpërgjegjës i drejtpërdrejtë në krimin institucional.
Drejtuar Prokurorit Publik të Shtetit: Të refuzohet urgjentisht kërkesa për përjashtimin e prokurores Natasha Saramandova dhe t’i mundësohen të gjitha kushtet që deri në fund të paraqesë provat që zbulojnë përgjegjësinë e strukturave lokale. Po ashtu, kërkojmë hapjen e një hetimi për përgjegjësinë dhe mosveprimin e Prokurorisë Themelore Publike në Koçan, nën drejtimin e Janevit, në periudhën para tragjedisë.
Largimi i revoltuar i prindërve të viktimave nga salla e gjyqit është paralajmërimi i fundit për këtë sistem të kalbur të drejtësisë. Nuk do të lejojmë që karriera e Borçe Janevit të shpëtohet përmes pazareve procedurale. Nëse shteti e avancon njeriun që mbylli sytë para vdekjes, kjo do të jetë dëshmia përfundimtare se sistemi është në luftë të hapur kundër qytetarëve të vet dhe kundër rinisë së vet.
Me respekt,
Qytetarë të revoltuar të Republikës së Maqedonisë
