Nga Prokuroria kërkojnë paraburgim për nigerianin me pasaportë amerikane, i cili gjatë ditës së djeshme u arrestua pasi sulmoi fizikisht një polic. Nga Prokuroria njoftojnë se përveç armës që kishte me vete, gjatë bastisjeve në vendin ku po qëndronte, janë gjetur armë dhe municione të tjera.

“Më 21 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, para një klubi nate në Parkun e Qytetit, i dyshuari ka sulmuar një polic që kishte tentuar ta legjitimonte. Me grushte i ka shkaktuar lëndime trupore policit, ndërsa më pas është neutralizuar dhe tek ai është gjetur një pistoletë gjysmë-automatike “Glock” e kalibrit 9 mm Para, si dhe dy karikatorë me nga 30 fishekë secili për këtë armë. Pasi u konstatua se shtetasi i huaj qëndronte në një hostel në Shkup, prokurori publik siguroi urdhër për bastisje dhe në dhomën ku qëndronte i dyshuari u gjet një sasi edhe më e madhe armësh dhe municionesh – një tjetër pistoletë “Glock”, tre karikatorë me nga 15 fishekë, 75 fishekë shtesë në qese me zinxhir, komplet për pastrimin e armëve, tre thika, si dhe sende të tjera – maskë, doreza taktike, fasha për duar, litarë për lidhje, USB dhe dokumente në letër, për të cilat është lëshuar urdhër për ekspertizë”, thonë nga Prokuroria.

The post Kërkohet paraburgim për nigerianin që sulmoi policin në Shkup! appeared first on Alsat.