Ky është 61 vjeçari Sami Luceku i cili ka paralizë fëmijërore, dhe nuk është i aftë për punë sepse siç thotë, nuk i punojnë këmbët dhe njëra dorë.
Ai ankohet se në shtetin tonë nuk e kanë hapësirën e duhur për të lëvizur personat me nevoja të veçanta, si dhe nuk kanë përkrahje të duhur financiare, pasi që siç thotë ndihmë sociale merr vetëm 5 mijë denarë ndërsa ilaçet në muaj i kushtojnë 3 mijë denarë. Luceku deklaron se ka punuar, mirëpo është larguar nga puna.
“Këtu i kam 8 vite, e kam edhe shkollën e mesme të Beogradit, sepse në Beograd atje e kam shkollën e mesme por nuk ma pranojnë, edhe unë nga nervoza e kam shkyer. A keni pasur ndonjëherë mundësi të punoni dhe të jeni të barabartë edhe me personat tjerë? Kam punuar një herë si rojtar kam qenë, por e humba vetëdijen, më larguan nga puna dhe më thanë nuk je i aftë për punë”, tha Sami Luceku – person me nevoja të veçanta.
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, Suaret Alishan nga koalicioni “Menuvame” i kërkon Ministrisë së Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë zgjidhjen e problemit me kompensimin e asistentëve personal dhe kërkon që rritja e pagesës të jetë për të gjithë personat me aftësi të kufizuara. Në bazë të nenit 76 të Ligjit për mbrojtje sociale, Alishan thotë se është miratuar një Rregullore që është jashtë atij neni.
“Në nivel mujor për një person ndahen 25.200 denarë. Kur zbresim 11 për qind për të paguar taksën personale, mbetemi në 22500. Nga 22.500 paratë e pastra shkojnë për të ashtuquajturit ofrues, gjegjësisht ofrues të shërbimeve dhe ata nuk ofrojnë shërbime, kurse asistentët paguhen nga 17.000 denarë. Tani nëse në Shkup janë 150 shfrytëzues, sa para kanë mbetur për një ofrues”, u shpreh Suaret Alishan – koalicioni “Menuvame”.
Nga ana tjetër zëvendësja e Avokatit të Popullit Fatima Bajramovska tha se nxënësit me nevoja të veçanta, po hasin në vështirësi edhe nëpër shkolla.
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës të merr masa për zgjidhjen e problemit të sistemit për mosnjohurinë e gjuhës së shenjave, në mënyrën që do e rregullojë njohjen e gjuhës së shenjave si obligative për kuadrin e mësimdhënësve në nivelin adekuat, sipas vendit të punës, por edhe të kuadrit tjetër të punësimit të cilët janë në kontakt të vazhdueshëm me nxënësit me dëgjim të dëmtuar”, deklaroi Vaska Bajramovska – zëvendëse e Avokatit të Popullit.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, UNICEF-i i bën thirrje vendit të mbetet i përkushtuar ndaj arsimit gjithëpërfshirës për çdo fëmijë. Sipas raportit të UNICEF-it për “Arsimin Gjithëpërfshirës në Maqedoninë e Veriut”, numri i nxënësve me aftësi të kufizuara që ndjekin rregullisht shkollat fillore është dyfishuar. Në vitin shkollor 2019/20 kishte katër nxënës për shkollë mesatarisht – ndërsa në vitin shkollor 2023/24 janë nëntë nxënës për shkollë.
