Këshilltarët e LSDM-së në Qytetin e Shkupit kërkojnë shpalljen e gjendjes së krizës ekologjike dhe shëndetësore për shkak të ndotjes së ajrit. Ata sot informuan se kanë dorëzuar nismë për thirrjen e një seance urgjente të Këshillit të Qytetit të Shkupit, në të cilën do të propozohen masa të menjëhershme për uljen e ndotjes në kryeqytet.

“Ne në këtë seancë do të propozojmë masa: transport publik falas në ditët kur ajri është i ndotur, të kërkohen para nga qeveria për filtra falas në oxhaqet e ndotësve të mëdhenj, ridestinim i mjeteve për pastrues ajri, të miratohet ndalim i ngrohjes me dru dhe qymyr në zonat ku ka ngrohje qendrore të disponueshme. Më tej, pastrimi i deponive ilegale në territorin e Qytetit të Shkupit, larja e rrugëve dhe mjete për projekte ekologjike”, tha Katerina Canevska Arsovska, këshilltare e LSDM-së në Qytetin e Shkupit.

VMRO-DPMNE i cilësoi si hipokrite reagimet e kundërshtarit të tyre politik. Sipas partisë në pushtet, LSDM, nëse do të kishte dashur, gjatë shtatë viteve sa ishte në pushtet, mund të kishte ulur ndotjen në Shkup të paktën për 10 për qind.

“Për shtatë vite mund të kishin ulur ndotjen e ajrit të paktën për 10%, por prioritet i tyre ishte ndërtimi i ndërtesave, siç dëshironin, në Gjorçe dhe në Hrom të ngrihen 100 ndërtesa në vitin 2020, po aq edhe në të njëjtën periudhë në lagjen Rasadnik”, tha VMRO-DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE theksojnë se kanë marrë pasa për zbutjen e ndotjes respektivisht se është miratuar Strategjia për ajër më të pastër 2024–2030, subvencione për klima inverter, pastrues ajri në çerdhet e Shkupit, vendim për pyllëzim masiv të shtetit dhe plan për gazifikimin e vendit.

Ministria e Mjedisit pak ditë më parë publikoi rekomandime për qytetarët për mbrojtje nga ndotja. Të gjithë punëdhënësve u rekomandohet të lirojnë nga detyrimet e punës gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe qytetarët me astmë kronike, me infarkt të kaluar në zemër ose tru, pa marrë parasysh moshën./Alsat.mk

The post Këshilltarët e LSDM-së në Qytetin e Shkupit kërkojnë shpalljen e gjendjes së krizës ekologjike dhe shëndetësore për shkak të ndotjes së ajrit appeared first on Alsat.