Zyrtari i lartë kinez Li Xi u takua me udhëheqësit italianë këtë javë, duke diskutuar për thellimin e marrëdhënieve strategjike, teksa sivjet është 20-vjetori i marrëdhënieve të partneritetit gjithanshëm strategjik Kinë-Itali dhe të dy palët kanë thelluar bashkëpunimin në fusha të tilla si energjia e gjelbër dhe teknologjia digjitale.
Gjatë vizitës së tij në Romë nga e mërkura deri të shtunën me ftesë të Senatit italian, Li, anëtar i Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të P.K.K. -së u takua me kryetarin e Senatit të Italisë Ignazio la Russa dhe zëvendëskryeministrin e ministrin e Jashtëm Antonio Tajani.

Gjatë takimeve, Li theksoi marrëdhëniet e qëndrueshme midis Kinës e Italisë dhe u bëri thirrje të dyja palëve të zbatojnë konsensusin e arritur nga presidenti kinez Xi Jinping dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në korrik.
Kina dhe Evropa ndajnë një gamë të gjerë interesash të përbashkët në mbështetjen e multilateralizmit, trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe promovimin e rimëkëmbjes ekonomike globale.
Kina është e gatshme të punojë me Italinë dhe vendet e tjera evropiane për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënieve Kinë-Evropë, vuri në dukje ai.
La Russa vlerësoi lart miqësinë historike midis Italisë dhe Kinës .
Nga ana e tij, Tajani theksoi rolin e Kinës si një partnere e rëndësishme ekonomike e Italisë, duke vënë në dukje se pala italiane shpreson të forcojë shkëmbimet ekonomike e tregtare me palën kineze, duke nxitur një marrëdhënie të ekuilibruar dhe me leverdi reciproke. Ai përsëriti angazhimin e Italisë për politika të hapura ekonomike dhe për të punuar në mënyrë aktive për zgjidhjen e mosmarrëveshjes tregtare ndërmjet Evropës dhe Kinës me anë të bisedimeve.

Italia është e gatshme gjithashtu të punojë me Kinën për të promovuar paqen dhe qëndrueshmërinë globale në rrethanat e sfidave të sotme, vuri në dukje kryediplomati Tajani.

