Klasikja operistike “Traviata” e Xhuzepe Verdit, një kryevepër që magjeps me pasionin, dramaturgjinë dhe muzikën e saj të paharrueshme, do të vihet në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 27 maj, me fillim në ora 20:00, në kuadër të edicionit të 54-t të Festivalit “Mbrëmjet Operistike të Majit”. E frymëzuar nga romani “Zonja me kamelie”, kjo opera rrëfen një histori thellësisht njerëzore për dashurinë, sakrificën dhe përplasjen me normat shoqërore.

Dirigjent është mysafiri nga Hungaria, Gergel Keselak, ndërsa regjia është e regjisores së njohur gjermane, Verena Shtojber, duke krijuar një produksion të fuqishëm, fokusi kryesor i të cilit është dinamika skenike dhe finesa vizuale. Skenografe dhe kostumografe është Sofia Shnajder (Gjermani), koreografe: Sasha Evtimova, koncert-mjeshtër është Jane Bakevski, ndërsa mjeshtre e korit Jasmina Gjorgeska.

Në rolin e Violeta Valerit do të paraqitet Tea Purceladze (Gjeorgji), në rolin e Alfred Zhermonit – Alesandro Fantoni (Itali), Zhorzh Zhermon – Badral Çulunbatar (Mongoli), ndërsa rolet tjera i interpretojnë: Marika Popoviq, Aleksandra Lazarovska Vasilevski, Kristijan Antovski, Dragan Ampov, Nikola Stojçevski, Neven Siljanovski, Igor Ginovski, Tihomir Jakimovski, së bashku me korin, orkestrën dhe ansamblin e baletit të Operës dhe Baletit Nacional.

Opera “Traviata” është një nga veprat më të rëndësishme dhe më të interpretuara në literaturën botërore operistike, e shkruar nga Xhuzepe Verdi në vitin 1853 dhe e shfaqur për herë të parë po atë vit në teatrin “La Fenice” në Venecia. E krijuar sipas romanit “Zonja me kamelie” të Aleksandër Dymasë – birit, opera edhe sot konsiderohet si një nga veprat kyçe të repertorit, e cila me linjën e saj të fuqishme dramatike dhe thellësinë emocionale mbetet aktuale në skenat anembanë botës dhe në vendin tonë.

The post Klasikja e pavdekshme operistike “Traviata” e Xhuzepe Verdit në skenën e Operës dhe Baletit Nacional më 27 maj në kuadër të edicionit të 54-t të MOM appeared first on Alsat.