Klinika Universitare për Urologji promovoi infrastrukturën e re spitalore, plotësisht të rinovuar, përcjell TV21. Është rinovuar plotësisht reparti spitalor me një investim të përgjithshëm prej 300 mijë eurosh. Nga kjo shumë, 100 mijë euro janë siguruar nga llogaria e fondit, 100 mijë përmes donacioneve, dhe 100 mijë euro të tjera nga mjetet e veta të Klinikës. Klinika është e pajisur me dy aparate të reja: aparat për trajtim endoskopik të gurëve në traktin urinar dhe shtyllë laparoskopike.

“Krijojmë një protokoll që është shumë i ngjashëm dhe kompatibil me protokollet europiane, pra uroj që shumë shpejtë të kemi prezantime edhe të infrastrukturave të tjera në klinikë dhe gjithandej nëpër shtet. Pra qëllimi është që shëndetësia të jetë kompaktibile si në aspekt të kapaciteteve njerëzore, ashtu edhe në aspekt të infrastrukturës. Gjithashtu këtu 20 të punësuar prej periudhës dy javore i kemi nga “part time” në “full time””, tha Aliu

“Investimi ka kushtuar rreth 300 mijë euro, me atë që 100 mijë euro i kemi pasur donacion, 100 mijë janë harxhuar në llogari tonën dhe 100 mijë nga llogaria buxhetore. Me atë që kemi vendosur edhe dy metoda kirurgjike, do të thotë sfinkterë artificial urinar dhe vendosjen e protezave penile. Jemi në fazë të vendosjes edhe të një metode kirurgjikale, dhe ne praktikisht nuk do të kemi nevojë të dërgojmë pacientë për shërim jashtë shtetit. Komplet janë pajisur të gjitha dhomat me kondicionerëve TV LCD, tani jemi në fazë të rinovimit të qendrës për transplantim që është nga ana e kundërt, dhe atje është planifikuar të bëhet qendër e mirë për transplantim dhe qendër për kalkulozë, për trajtim të kanaleve urinare”, tha Bashkim Shabani, drejtor i Urologjisë.

“Atë që arritëm ta shohim dhe që e kanë bërë këtu drejtori bashkë me bashkëpunëtorët është me të vërtet diçka që na afron një hap më afër shëndetësisë europiane”, theksoi Mikcoski.