
Muajin e ardhshëm pritet aktakuzë kundër 30 policëve, për të cilët Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit prej muajsh po zhvillon hetim për përfshirjen e tyre në zjarrin e diskotekës “Puls” në Koçan. Këtë e paralajmëroi Prokurori i përgjithshëm i shtetit, i cili tha se hetimi ishte zgjatur për arsye objektive. Punonjësit policorë dyshohen se nuk kanë kryer kontroll mbi licencën e diskotekës, në pjesën që lidhet me rendin dhe qetësinë publike.
“Në lidhje me hetimin për punonjësit policorë, ishte parashikuar që të përfundonte deri në fund të shtatorit, por pati rrethana objektive rreth marrjes në pyetje të disa dëshmitarëve dhe tani ata dëshmitarë janë marrë në pyetje, me ç’rast ka shumë gjasa që në fillim të muajit të ardhshëm të merret edhe vendimi i prokurorisë publike”, tha Lupço Kocevski, Prokuror publik i shtetit.
Ndërkohë, javën e ardhshme pritet të fillojë gjyqi për tragjedinë në Koçan në rastin që e udhëheq Prokuroria Themelore Publike, ndërsa është në zhvillim edhe një hetim paraprak kundër disa inspektorëve të Drejtorisë së të Ardhurave Publike, të cilët ndërkohë janë pezulluar nga puna. Megjithatë, Kocevski nuk deshi të zbulojë më shumë detaje për çfarë saktë ndiqen inspektorët, por theksoi se rastin e udhëheq prokuroria e Koçanit.
“Për punonjësit, pra për ata që u përfolën nga Drejtoria e të Ardhurave Publike, po zhvillohet procedurë hetimore paraprake në Prokurorinë Themelore Publike të Koçanit dhe prokurori kompetent ka dhënë udhëzime dhe urdhra për ndërmarrjen e veprimeve procedurale nga organet kompetente. Në këtë pjesë nuk mund të themi tani asgjë më shumë”, deklaroi Lupço Kocevski, Prokuror publik i shtetit.
Më 19 nëntor, në sallën e gjyqit në Idrizovë do të fillojë procesi gjyqësor për zjarrin në klubin e natës në Koçan më 16 mars, ku humbën jetën 63 persona dhe rreth 200 u lënduan. Para gjykatës për herë të parë do të ulen gjithsej 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë të akuzuar për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Të akuzuar janë pronarët e diskotekës, anëtarë të familjeve të tyre, bashkëpunëtorë, ish-kryetarët e komunës së Koçanit, inspektorë, persona nga sigurimi i diskotekës, si dhe dy ish-ministra të Ekonomisë. Rastin për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e re të vendit do ta udhëheq gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska. /Alsat.mk

