Kodi i ri penal ngec mes institucioneve: Gjykata pret Kuvendin, Kuvendi pret Qeverinë

Gjykata Kushtetuese e pret Kuvendin ndërsa Kuvendi e pret Qeverinë. Kështu, propozimi për Kodin e Ri penal assesi tu dorëzohet deputetëve. Nga Ministria e Drejtësisë për Alsat njoftuan se kodi i ri penal është gati, është përkthyer në gjuhën angleze dhe po bëhen tabela krahasuese por nuk caktuan afat se kur do ta paraqesin para deputetëve. Me kodin e ri penal bëjmë sistematizim gjithëpërfshirës dhe rregullimin e veprave penale, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me keqpërdorime gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, thonë nga Ministria e Drejtësisë. Sipas agjendës reformuese, thonë se afati për sjelljen e saj është muaji dhjetor.

“Qëllimi kryesor është të krijojmë zgjidhje penale më precize, më efikase dhe më lehtë të zbatueshme, në vend të ekzistimit formal të veprave të cilat në praktikë vështirë dëshmohen apo zbatohen në mënyrë të jo barabartë. Ajo që është më e rëndësishme për qytetarët, është se do të ketë mekanizma të qarta dhe të realizueshme për ndjekjen e korrupsionit, keqpërdorimeve dhe krimit institucional, por në formë e cila është e harmonizuar me standardet dhe propozimet evropiane”, thonë nga Ministria e Drejtësisë.
Ndërkohë Gjykata Kushtetuese nuk dëshiron të ngutet dhe të shfuqizojë nenet kontestuese aktuale sepse ashtu do të shkaktonte dëm edhe më të madh dhe funksionarët nuk do të mund të përndiqeshin fare për keqpërdorime të detyrës zyrtare.

Dje kreu i Kuvendit Afrim Gashi njoftoi se dera për kodin e ri penal është e hapur por se e njëjta nuk është dorëzuar ende nga Qeveria. Kur pati shpallur zgjedhjet në gusht, pati thënë se propozim kodi penal vetëm sa nuk ka arritur në Kuvend, sepse kështu i është paralajmëruar nga ministri i drejtësisë, Igor Fillkov.

Qëllimi i kodit penal është të rikthehen veçanërisht nenet të cilat u shfuqizuan në shtator të vitit 2023 me procedurë të shkurtuar në Kuvend e që kanë të bëjnë me keqpërdorime të detyrës zyrtare. Paragrafi 3 i nenit 353 parashihte dënim me burg prej së paku tre viteve e me ndryshimet e kodit u kufizua në maksimumi pesë ndërsa edhe vjetërsimi i lëndës u ul në dhjetë vjet. Më pas paragrafi 5 i cili parashihte dënim me burg prej së paku pesë viteve nëse vepra kryhet gjatë furnizimeve publike apo në dëm të buxhetit të shtetit, tanimë nuk ekziston. Me miratimin e këtyre ndryshimeve nga përndjekja penale shpëtuan ish kryeministri Nikolla Gruevski, por edhe Sasho Mijallkov, Igor Janushev, Mile Janakieski, Antonio Milloshoski e të tjerë. /Alsat.mk