Gazetar: Suad Bajrami
Gjykata Kushtetuese me shumicë votash vendosi të mos hapë procedurë për iniciativën që konteston Rregulloren e miratuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, me të cilën u lejua që kandidatët e pavarur në këto zgjedhje lokale të marrin pjesë në zgjedhje me vetëm dy nënshkrime. Vendimit i parapriu një debat, kryesisht i përqendruar rreth çështjes së kompetencës së KSHZ-së për të përcaktuar numrin e nënshkrimeve. Propozimin e gjyqtares raportuese Jadranka Daboviq Anastasovska për të mos hapur procedurë, e mbështetën kryetari Darko Kostadinovski dhe gjyqtarja Ana Pavllovska Daneva, të cilët artikuluan qëndrime krejtësisht të kundërta ndaj iniciativës që kërkonte të shfuqizojë këtë rregullore.
“A ka bazë vendimi i KSHZ-së? Po, sepse bazohet në të drejtën kushtetuese për pjesëmarrje në zgjedhje”, u shpreh Kostadinovski. Pavllova Daneva vlerëson se KSHZ me këtë rregullore ka respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese në maj të këtij viti, me të cilin u shfuqizuan nenet që kërkonin kandidatët të mbledhin 1% të nënshkrimeve të votuesve të regjistruar në Listën Zgjedhore. Ndërsa kritikoi dështimin e Kuvendit për të miratuar ndryshimet ligjore.
“Ligjvënësi nuk ka ndërmarrë asgjë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra do të thotë se pajtohet. Madje, me nenin 63 të Kodit zgjedhor, KSHZ detyrohet të miratojë rregullore përndryshe mund të ndiqet penalisht”, u shpreh Pavllova Daneva.
Gjyqtarja Dobrilla Kacarska ishte më e zëshmja që vuri në dukje se KSHZ me këtë rregullore ka dalë jashtë kompetencave. “Bëhet fjalë për rregullore që është e paligjshme. Prej ku e nxjerr KSZH kompetencën që të tregojë nëse duhen 2, 5, 500 apo 1.000 nënshkrime. KSHZ s’ka kompetencë. Madje as Gjykata Kushtetuese s’ka kompetencë të tregojë sa nënshkrime duhen, këtë duhet ta bëjë Kuvendi. Plotësisht, Rregullorja nuk është publikuar në Gazetën Zyrtare dhe për këtë nuk mund të quhet as Rregullore”, u shpreh Kacarska.
Qëndrimet e Kacarskës i mbështeti gjyqtari Fatmir Skender, për çka gjyqtarja Ana Pavllovska Daneva në një moment e quajti avokat të Kacarskës. “Pajtohem me qëndrimet e Dobrilla Kacarskës. Këtë materie nuk duhet ta rregullojë KSHZ”, tha mes tjerash Skender.
Osman Kadriu, Naser Ajdari dhe Tatjana Vasiq Bozaxhieva kontribuan në debat me qëndrime më të moderuara, duke lënë të nënkuptohet se në rrethana tjera kohore mbase vota e tyre do të ishte më ndryshe. Kadriu, tha që është e pakontestueshme që KSZH me këtë Rregullore ka tejkaluar kompetencat e saj, megjithatë siç u shpreh, në mënyrë të pavullnetshme do të votojë për të mos hapur procedurë, për të mos prishur procesin zgjedhor.
Të njëjtin mendim ndau edhe gjyqtari Naser Ajdari, i cili gjithashtu evidentoi se KSHZ ka shkelur kompetencën e saj me atë që ka rregulluar materie ligjore që i takon shtëpisë legjislative. “Për votën time vendimtar do të jetë momenti dhe rrethana aktuale, është shumë serioze. Zgjedhjet vijojnë, kandidaturat janë publikuar, KSHZ i ka ndërmarrë veprimet zgjedhore”, u shpreh Ajdari.
Këtë linjë mbajti dhe gjyqtarja Tatjana Vasiq Bozaxhieva që u shpreh me porosinë “Nuk guxojmë te vihet në pikëpyetje siguria juridike. Listat e kandidatëve janë dhe duhet të mbeten të vlefshme, pasi që kandidatët kanë vepruar sipas rregullave që kanë qenë në fuqi”. sepse kandidatet kane vepruar sipas rregullave ne fuqi. KSHZ e miratoi rregulloren që të amortizohet kaosi juridik që Kuvendi e bëri dhe nuk e luajti rolin kushtetues. KSHZ nuk kishte zgjidhje tjetër”, u shpreh Vasiq Bozaxhieva.
The post Kodi Zgjedhor/ Kushtetuesja nuk hapi procedurë appeared first on Alsat.
