Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë të jenë shtylla kryesore e stabilitetit në Kosovë, dhe çdo ndryshim i papritur në pozicionimin e trupave amerikane mund të krijojë pasiguri dhe të rrisë hapësirën për ndikime të jashtme, paralajmëron koloneli i pensionuar amerikan, Ray Wojcik, ish-udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë.
Debati për këtë çështje u intensifikua pasi gazeta amerikane Politico raportoi se SHBA po shqyrton mundësinë e reduktimit të aktivitetit të saj në misionin paqeruajtës KFOR në Kosovë, ku aktualisht shërbejnë rreth 590 trupa amerikane. Një zyrtar i Pentagonit theksoi më 19 shkurt: “Sot, nuk kemi për të njoftuar ndonjë ndryshim në dislokimin e forcave”.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Wojcik tha se SHBA po rishikon pozicionin e saj ushtarak në botë, duke theksuar rëndësinë e aleatëve evropianë:
“Prania e aleatëve evropianë është thelbësore që ata të marrin përgjegjësi më të mëdha në Evropë, ndërsa Amerika fokusohet në Paqësor dhe Hemisferën Perëndimore. Roli i Bashkimit Evropian në normalizimin politik mes Kosovës dhe Serbisë mund të ndihmojë në një tranzicion të qetë të përgjegjësive të sigurisë”, tha Wojcik.
Ai paralajmëroi se çdo tërheqje e papritur e trupave amerikane do të krijonte pasiguri:
“Çdo ndryshim i papritur në pozicionin e trupave amerikane ose të forcave aleate në KFOR do të ishte gabim dhe do të krijonte pasiguri. Mjafton të kujtojmë tërheqjen kaotike të SHBA-së nga Afganistani në 2021, apo sulmet e paramilitarëve serbë ndaj policisë së Kosovës në 2023”, theksoi Wojcik.
Ai gjithashtu vuri në dukje rrezikun e ndikimit të jashtëm:
“Tërheqja e trupave amerikane mund të krijojë mundësi për Rusinë dhe Kinën që të zgjerojnë ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor – politik, ekonomik, ushtarak dhe informativ. Rusia mbështet Serbinë politikisht dhe ushtarakisht, ndërsa Kina vazhdon investimet strategjike në rajon”, tha Wojcik.
Sipas tij, prania amerikane ka një rol të madh parandaluese:
“Vlera parandaluese e forcave amerikane është shumë më e madhe se numri i trupave. Ajo tregon angazhimin strategjik të SHBA-së dhe forcon besueshmërinë e NATO-s. Çdo incident serioz që përfshin trupat amerikane do të shkaktonte reagim të shpejtë diplomatik, ekonomik dhe potencialisht ushtarak nga Uashingtoni”, shpjegoi Wojcik.
Ai nënvizoi gjithashtu rolin e vendeve të tjera të NATO-s:
“Pa dyshim, nëse SHBA e redukton kontributin e saj në KFOR, aleatët e tjerë duhet ta forcojnë praninë e tyre për të ruajtur besueshmërinë e parandalimit dhe efektivitetin operacional. Reduktimi i trupave mund të bëhet vetëm kur kushtet e sigurisë e lejojnë”, tha ai.
Sa i përket perspektivës afatgjatë, Wojcik theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO:
“Kosova në NATO do të ofronte garancinë më të fortë afatgjate për stabilitetin në Ballkan, duke zgjeruar mbrojtjen kolektive dhe duke kufizuar mundësitë që aktorë të jashtëm të shfrytëzojnë pasigurinë në rajon. Procesi do të marrë kohë, por iniciativat aktuale të FSK-së dhe programet e partneritetit afatgjatë kanë një ndikim stabilizues dhe rrisin shanset e integrimit në NATO”, përfundoi Wojcik.
