Skiatorja e talentuar italiane, Lara Kolturi, e cila garon për Shqipërinë, po zhvillon një edicion fantastik, teksa në Malin Kuper shënoi podiumin e saj të tretë sezonal në Kupën e Botës. Pasi nuk mundi të realizonte objektivin të shtunën në sllallom gjigant, ku mbeti jashtë dhjetëshes, Lara Kolturi u rikthye fuqishëm të dielën në sllallom. Ndonëse vetëm 19-vjeçare, Lara po bën një Kupë Bote si protagoniste me të rriturat, duke regjistruar medaljen e radhës, këtë herë të bronztë.
Një rezultat që në fakt në SHBA ishte i papritur edhe për vetë skiatoren kuqezi, e cila e komentoi kështu paraqitjen e saj në sllallomin amerikan.
“Do thosha që ishte një garë e vështirë, sidomos zbritja e dytë, e cila ishte një betejë e vërtetë. Provova të shtrëngoj dhëmbët dhe të shkoj deri në fund. Sinqerisht nuk mendoja që do të mbërrija në podium, po jam shumë e lumtur që ia dola. Jam e kënaqur me paraqitjen dhe tani më duhet të mendoj vetëm për garat e ardhshme, për të vazhduar me këtë soliditet dhe thjeshtësi deri në fund të sezonit”, shprehet Lara.
Vajza e kampiones olimpike, Daniela Çekareli, po bën historinë me flamurin shqiptar në sport jo të traditës në vendin tonë. Tashmë ngjyrat kuqezi duken se janë “abonuar” në podiumin e kompeticionit prestigjioz të skive dhe merita është e Larës si dhe e Federatës Shqiptare të Skive që ka afruar në Kombëtare një talent të jashtëzakonshëm. Ndërkohë, duke parë nga renditja e përgjithshme e Kupës së Botës pas katër etapave të para të sezonit, Lara qëndron në vendin e dytë me 278 pikë të grumbulluara.
Klasifikimi kryesohet nga Mikeala Shifrin me 368 pikë, ndërsa gjermania Lena Duerr plotëson treshen e parë me 224 pikë. Ndalesa e radhës për Kupën e Botës do të jetë këtë fundjavë në Tremblant të Kanadasë, ku do të garohet në disiplinën e sllallomit gjigant.
The post Kolturi: Nuk mendoja që do të mbërrija në podium, jam shumë e lumtur që ia dola appeared first on Alsat.
