Një kompani ndërtimi në Britaninë e Madhe është gjobitur me mbi 40 mijë funte pas vdekjes tragjike të një të riu shqiptar në një kantier ndërtimi në Londër, raportoi BBC-ja.
Renols Lleshi, 19-vjeçar, ka humbi jetën në korrik të vitit 2023, pasi ka rënë nga gjashtë kate lartësi në një bosht ventilimi, teksa ishte duke çmontuar skelet në katin e 12-të të një ndërtese banimi në zonën Ealing.
Sipas hetimeve të Autoritetit për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë (HSE), kompania “Jerram Falkus Construction Limited” ka mbuluar hapjen e boshtit me materiale të papërshtatshme, përfshirë pllaka gipsi dhe shkumë çatie, duke krijuar kushte të rrezikshme për punëtorët.
Autoritetet konstatuan se mbulesa e pasigurt nuk është vërejtur gjatë kontrolleve rutinë, ndërsa ekipit të skelave nuk i ishte dhënë asnjë paralajmërim për rrezikun potencial në zonën ku po punonin.
Babai i viktimës u shpreh se dhimbja e familjes është edhe më e rëndë, duke qenë se aksidenti ishte plotësisht i shmangshëm.
“Ta dish se vdekja e tij erdhi si pasojë e një aksidenti që mund të ishte parandaluar, e bën humbjen tonë edhe më të vështirë për t’u përballuar”, ka deklaruar ai.
Inspektorja e HSE-së, Natalie Prince, theksoi se rëniet nga lartësia mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekjeve në vendin e punës, duke e cilësuar rastin si incident tragjik tërësisht të evitueshëm.
Kompania në fjalë pranoi fajësinë për shkelje të rregullave të punës në lartësi dhe u dënua me 40,200 funte gjobë, 2,000 funte shtesë dhe 5,000 funte shpenzime gjyqësore më 18 mars 2026.
Familjarët e 19-vjeçarit shqiptar kanë mirëpritur vendimin e drejtësisë, por theksuan se asgjë nuk mund ta zbusë dhimbjen për humbjen e tij.
