Gazetar: Bashkim Sulejmani

Asfaltimi i rrugës Dobrosht-Nerasht në vitin 2024, me një kosto prej rreth 18 milion denarë dhe mospagesa në kohë, ka lënë komunën e Tearcës me xhirollogari të bllokuar. Kreu i komunës Daut Memishi thotë se kjo ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit të financave nga përbërja e kaluar.

“Qytetarët kanë të drejtë ta dinë dhe më dhimbsen se ne do duhet ta shlyejmë këtë borxh, edhe atë jo vetëm borxhin për shtrimin e rrugës por edhe kamatat që përmbaruesi do i rrit çdo muaj e që do jetë ngarkesë shtesë në komunën e Tearcës. Do jetë pra një ngarkesë shtesë për muajt prill maj qershor gjatë sezonit të verës, mirëpo unë besoj që do ia dalim”, deklaroi Daut Memishi. Kryetar i komunës së Tearcës.

Për shkak të bllokimit të xhirollogarisë, janë bllokuar edhe projektet e planifikuara të komunës.

“Vlen të theksohet se këto mjete që do i merr kompania me anë të përmbaruesit do i bllokoj punët që mundohet komuna me buxhet vetanak të financoj projektet, apo disa intervenime që duhen në fshatrat e komunës së Tearcës, ndërsa pjesa tjetër e projekteve që planifikohen të nisen pas Bajramit, tek ato projekte nuk do kemi pengesë sepse janë me grant nga Qeveria”, theksoi Daut Memishi. Kryetar i komunës së Tearcës.

Memishi po ashtu ka sqaruar edhe vonesat në nisjen e disa projekteve që financohen nga banka Botërore, e të cilat sipas tij, janë planifikuar gjysmak, pra vetëm asfaltim, duke mos paraparë edhe kanalizimin dhe rrjetin e ujit. Komuna e Tearcës për momentin ka borxh prej rreth 1.8 milion eurosh./ Alsat.mk.

The post Komuna e Tearcës s’po realizon projektet për shkak të xhirollogarisë së bllokuar appeared first on Alsat.