Gazetar: Bashkim Sulejmani
Objektet e ndërtuara pa leje dhe në tokë shtetërore, apo muret e vendosura pa leje paraprake, e që kanë pësuar dëme gjatë vërshimeve të fundit nuk do të jenë pjesë e planit për kompensim të dëmit nga ana e Komunës së Tetovës.
“Pika më kritike paraqitet rruga e banjës në qytet, dhe të tjerat janë në parcela dhe objekte shtëpi private, por fatkeqësisht një pjesë e tyre janë të ndërtuara pa leje dhe vështirë e ka edhe komuna edhe Qeveria për të intervenuar”, u shpreh Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
“Shkaku se rruga e Banjës paraqet rrezik për qytetarët, më të filluar të reshurat e shiut, ne kemi formuar një ekip apostafat për këtë rrugë që kujdeset çdo ditë që të pastroj rrugën që e njëjta të jetë e kalueshme”, tha Samet Bislimi, drejtor i NPK “Tetova”.
Kreu i Komunës Bilall Kasami kërkoi nga qytetarët që të mos ndërtojnë në tokë shtetërore dhe pa leje apo matje adekuate, pasi do rrezikojnë familjet e tyre dhe të fqinjëve
“Qytetarët duhet të vetëdijesohen se ndoshta iu duket më e levërdishme të ndërtojnë në pronë shtetërore nëpër kodrinat e qytetit, por këtu komuna dhe shteti e kanë të pamundur të intervenojnë me investime, sepse për të investuar ne duhet pasur plan dhe projekt, siç kërkon Ligji dhe kushtet e ndërtimit”, theksoi Bilall Kasami, Kryetar i komunës së Tetovës.
Kasami paralajmëroi se me përmirësimin e motit, në rrugën e Banjës do të intervenohet me heqjen e dheut dhe gurëve të mëdhenj, në disa pika ku rrëshqitjet janë të shpeshta. /Alsat.mk
The post Komuna e Tetovës formon Shtabin e Krizës, do të inspektoj dëmet nga vërshimet appeared first on Alsat.
