“Çfarë po ndodh? Po largohet dikush?” Me këtë batutë, Carlo Ancelotti nisi konferencën e fundit për shtyp si trajner i Real Madridit, në prag të ndeshjes ndaj Real Sociedad, që do të jetë e fundit për të në stolin e “Los Blancos”.
“E nesërmja do të jetë shumë speciale, është e pashmangshme. Është ndeshja ime e fundit dhe kur mbyllet një kapitull, gjithmonë ka emocione. Sidoqoftë nuk jam aspak i trishtuar, përkundrazi, jam shumë i lumtur. Kam dhënë maksimumin dhe largohem i lumtur, sepse një ditë duhej të ndodhte”, – tha trajneri italian me një buzëqeshje në fytyrë.

Ancelotti tregoi mirënjohjen për gjithçka ka përjetuar në Madrid: “Jam mirënjohës për këto vite. Lojtarët, klubi, presidenti…, kemi kaluar shumë mirë bashkë. Ia dolëm të fitonim gjithçka. Po largohem me shumë mirënjohje për mundësinë që më dhanë për të drejtuar lojtarë spektakolarë. Tani është fundi. Ka qenë një rrugëtim i gjatë, por u përmbyll bukur. Nuk kam pasur kurrë ndonjë përplasje me presidentin, nuk do të kem as ditën e fundit. Tani fillon një fazë e re që do ta përballoj me të njëjtin entuziazëm”.
Me humor, përmendi edhe rekordet e tij jashtë fushës: “Edhe fakti që kam bërë më shumë se 700 konferenca për shtyp është një sukses. Edhe aty jemi argëtuar, megjithëse disa pyetje nuk kanë qenë gjithmonë të lehta”.

Në fjalën e lamtumirës, Ancelotti përmendi me emocione marrëdhëniet e ndërtuara: “Janë ditë emocionuese, flas me lojtarët dhe shumë njerëz të tjerë. Marrëdhënia ime me të gjithë ka qenë shumë e mirë, e vlerësoj atmosferën. I falënderoj të gjithë, edhe kuzhinierët që më kanë përgatitur ‘carbonara’ para ndeshjeve. Janë ditë të veçanta. Emocionohem shumë shpejt, do të jetë një ditë prekëse dhe nëse qaj, nuk ka problem. Do të jetë një ndjesi e bukur, të cilën do ta ndaj me Modric, i cili ka qenë një mbështetje spektakolare gjatë qëndrimit tim këtu. Një lojtar i mrekullueshëm, një legjendë. Ta përshëndes atë do të jetë e veçantë”.
Në lidhje me pasardhësin, Xabi Alonso, trajneri veteran nuk kurseu fjalët e mira: “Nuk dua të jap këshilla, secili ka metodën e vet të punës. Këshilla ime është: shijojeni Real Madridin! Xabi Alonso do të jetë i pari dhe i uroj gjithë fatin e botës. I ka cilësitë për ta drejtuar këtë klub. Shijojeni gjithçka, kjo është ajo që mund të them”.

Për mbrëmjen më të bukur në “Bernabéu”, trajneri italian përmendi përmbysjet e paharrueshme: “Ka pasur shumë, shumë të tilla. Është e vështirë të zgjedh një. Në fakt, gjithmonë flas për përmbysjet, sepse janë diçka që ende nuk kanë shpjegim. Ato që më ka mbetur më shumë në mendje janë përmbysjet ndaj PSG-së, Manchester City dhe Chelsea. Do të jenë të paharrueshme përjetësisht”.
E ardhmja? Tani është radha e Brazilit: “Është një ndjesi e jashtëzakonshme. Jam i emocionuar që do t’i bashkohem një kombëtareje historike, pesë herë kampione bote. Është një sfidë e madhe, por më pëlqen ideja që të përgatitem për një Kupë Bote me Brazilin”.

Për një rikthim të mundshëm në ndonjë klub pas Brazilit, përgjigjja ishte e sinqertë: “Këto janë gjëra që nuk i di… Pas Real Madridit nuk kam më dëshirë të drejtoj një tjetër klub, ose të paktën kështu e ndjej tani. Këtë kam thënë dhe këtë e konfirmoj. Në të ardhmen…, nuk i dihet”.
Në fund, një reflektim mbi të ardhmen e klubit madrilen: “Mund të mendohet se me largimin e Modric përfundon një gjeneratë e artë, por si gjithçka në jetë, çdo gjë ka një fund. Shumë të tjerë janë larguar: Casemiro, Cristiano Ronaldo, Benzema…, por Real Madrid ka vazhduar dhe do të vazhdojë të jetë klubi më i mirë në botë”.
Një epokë mbyllet, një legjendë largohet. Carlo Ancelotti lë një trashëgimi të paharrueshme te Real Madridi.






The post Konferenca e fundit për shtyp / Ancelotti i thotë ‘lamtumirë’ Real Madridit me zemrën plot dhe sytë e lagur… appeared first on Telesport.
