Korridori 8 prej kohësh është shumë më tepër se një rrugë e zakonshme transporti, ai është korridor strategjik evropian, theksoi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski нë fjalimin e tij në Konferencën Ndërkombëtare për Korridorin 8, e cila u mbajt në Sofje. Shtoi se ky projekt ka rëndësi thelbësore dhe për këtë arsye është e nevojshme që të përfundojë sa më shpejt.

“Porosia jonë është shumë e thjeshtë. Korridori 8 është shumë më tepër se vetëm një rrugë transporti, ai është një korridor strategjik evropian që lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ai lidh tregjet, ekonomitë dhe njerëzit dhe, më e rëndësishmja, i forcon lidhjet, siç përmendi edhe eurokomisarja Kos, mes Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian. Për vendin tim, Korridori 8 është një prioritet i qartë strategjik kombëtar”, tha Mucunski.

Sipas ministres bullgare të Punëve të Jashtme, Velisllava Petrova-Çamova, konferenca e sotme ndërkombëtare ka kontribuar për një shtysë politike të iniciativës.

“Ky korridor nuk është vetëm një segment në hartë, por me të vërtetë është një mundësi për lidhje më të madhe në rajon, e cila duhet të shqyrtohet nga më shumë aspekte, si aspekti i transportit, i cili është më i dukshmi, por edhe nga aspekti i sigurisë, i mobilitetit ushtarak, si dhe energjetik. Nga ana tjetër, këtë korridor e shohim edhe si mundësi për një rrjet korridoreve”, tha Velisllava Petrova-Çamova.

Për rëndësinë e këtij projekti foli edhe eurokomisarja Marta Kos, e cila theksoi se lidhjet e transportit janë një nga fushat në të cilat Evropa duhet të punojë në procesin e përgatitjes për zgjerimin. Ajo tha se BE-ja vetëm në Maqedoni dhe Shqipëri e ka mbështetur Korridorin 8 me 319 milionë euro.

“Një nga fushat në të cilat duhet të punojmë janë lidhjet e transportit nëpër kontinentin tonë. Ato i lidhin njerëzit, e shkurtojnë kohën e udhëtimit dhe i ulin kostot e zhvillimit të biznesit dhe kjo na bashkon ne evropianët. Dhe pikërisht këtë duam që ta bëjë Korridori 8, të lidhë Detin Adriatik dhe Detin e Zi dhe të sjellë përfitime për njerëzit në Bullgari, Maqedoni të Veriut, Shqipëri dhe më gjerë”, tha Marta Kos.

Korridori 8 shtrihet nga porti i Barit në Itali deri te portet e Varnës dhe Burgasit në Bullgari. Pjesa e tij qendrore kalon nëpër Maqedoni, përmes Kërçovës, Shkupit, Kumanovës dhe Kriva Pallankës. Ndërkaq, Mucunski shprehu gatishmëri që Maqedonia të jetë nikoqire e takimit të ardhshëm për Korridorin 8.