
Kongresi i BDI-së i trumbetuar si proces reformash të thella ka nxitur valë reagimesh nga figura që dikur mbanin pozita kyçe në ekzekutiv dhe në strukturat lokale të kësaj partie. Ish-zëvendëskryeministra, ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë e kanë cilësuar procesin si një “fasadë” dhe “autoritarizëm të maskuar” duke lënë anash parimin e “meritorkracisë”.
Ish-zëvendëskryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Festim Halili, uroi mandatin e Ali Ahmetit, por kërkoi që ky moment të shërbejë për reflektim të thellë moral. Ai vuri në dukje se shumë intelektualë janë përballur me “obstruksione të heshtura”, ndërsa persona pa peshë janë avancuar në pozita kyçe, veçanërisht në Tetovë.
“Një parti që synon të mbetet relevante duhet të rikthejë meritokracinë si parim themelor dhe të krijojë hapësirë për ata që kanë dëshmuar me vepra, jo me servilizëm,” deklaroi Halili, duke kritikuar mungesën e llogaridhënies për humbjet në katër cikle zgjedhore.
Valmir Aziri, ish-sekretar shtetëror i Kulturës, e cilësoi kongresin si një “shfaqje me duartrokitje të organizuara”. Sipas tij, anëtarët e rinj nuk janë produkt i demokracisë, por i një rrotacioni të brendshëm që shitet si ndryshim.
“Besimi nuk lind nga kongreset e mbyllura… pa llogaridhënie reale, çdo kongres mbetet një kapitull i radhës i të njëjtës histori të konsumuar,” u shpreh Aziri.
Ish-zëvendësdrejtori i DAP-it, Remzi Abdullahi, bëri akuza të forta për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve, duke e quajtur atë një “mbyllje të partisë”.
“Kur vendimet merren në një zyrë të mbyllur pa asnjë kriter, po kthehemi pas në mentalitetin e komunizmit, ku një individ vendoste për të gjithë. Çdo model tjetër është autoritarizëm i maskuar si reformë,” theksoi ai.
Ish-zëvendësministrja e Arsimit, Lindita Qazimi, reagoi në mënyrë tejet të ashpër dhe me tone personale për mosftesën e saj në Kongres. Duke e cilësuar veten si “e vetë-përjashtuar”, ajo lëshoi akuza publike ndaj strukturave dhe paralajmëroi se do të flasë me vepra për t’i “deklasuar” ata që dhanë urdhrin për anashkalimin e saj.
Bekim Murati, ish-kryetar i Komunës së Sarajit, përdori metaforën e shtëpisë për të përshkruar gjendjen në BDI.
“Fasada e re nuk shpëton shtëpinë nga themelet e kalbura. Këta emra nuk janë zgjedhur për vizion, por për bindje dhe mbrojtje të kryesisë së vjetër. Kjo nuk është reformë, por riciklim,” deklaroi Murati.
Përfaqësuesit nga Shkupi kanë shprehur zhgënjim për shpërndarjen e pozitave. Ish këshilltari në Komunën Shito Orizarë Ilaz Leskovica theksoi se Shkupi u la pa peshë reale në parti.
“Padrejtësia që iu bë Shkupit nuk mund të kamuflohet. Sot, shumica në Shkup janë në lëkurën e Izet Mexhitit ashtu siç ishte ai para katër viteve. Pasojat e kësaj padrejtësie në Shkup do të shihen me kalimin e kohës. Nga reformat nuk mbeti as shkronja R,” tha Leskovica.
Reagimet vijuan nga këshilltari aktual në Qytetin e Shkupit, Abdul Selam Selami, i cili u drejtua me një paralajmërim të shkurtër por të prerë udhëheqësisë së partisë:
“Shkelni me dy këmbë se keni gjetë! Por populli lexon mirë dhe asnjëherë nuk gabon!”. Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të tetorit, Abdul Selam Selami ka dalë si personaliteti më i votuar nga radhët e BDI-së duke grumbulluar 27.227 vota.
Në kongresin e djeshëm të BDI-së, Arbër Ademi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i partisë ndërsa Faton Ahmeti i cili mbante këtë post më herët, u zgjodh nënkryetar. Bujar Osmani dhe Arbana Pasholli mbeten nënkryetarë, ndërsa listës së nënkryetarëve iu shtuan edhe Erkan Arifi dhe Arta Bilalli Zendeli. Nebi Rexhepi zëvendësoi Blerim Bexhetin, si sekretar organizativ. Ndërkaq në kryesinë qendrore u zgjodhën 18 anëtarë të rinj./Alsat.mk
