Salla sportive në shkollën e mesme Niko Nestor në Strugë vazhdon të mbetet e mbyllur. As shteti e as komuna nuk gjetën mënyrë që gjatë kësaj periudhe ta rinovojnë atë. Klubet sportive kërkojnë që kjo çështje të zgjidhet, pa marrë parasysh se kush do të menaxhojë me të.

“Gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari aktual i komunës pati kontakte me ne, të gjithë punëtorët sportivë nga të gjitha klubet. I vendosëm kusht për këtë vit, nëse jo, i thamë të mos na kërkojë. Morëm premtime se kjo do të bëhej. Ajo nuk është salla më e keqe dhe as më e rrezikshme në Maqedoni, e them me përgjegjësi, sepse unë çdo fundjavë jam nëpër sallat anembanë vendit,” deklaroi Jovan Tërpenovski – kryetar i klubit të hendbollit Struzhanka.

Thonë se nuk bëhet fjalë për investim të madh dhe se me 50.000 euro mund të bëhen shumë gjëra. Për tetë klubet sportive të qytetit, zgjedhja e vetme tani është salla sportive që është në pronësi private, për të cilën thonë se paguajnë disa herë më shtrenjtë, ndërsa 1.500 nxënësit e shkollës së mesme Niko Nestor zhvillojnë mësimin në një sallë shumë më të vogël.

“Nuk e di nëse kjo është e lejuar apo jo, por sigurisht që është e pakuptueshme. Jemi vënë para një fakti të kryer. Ndihmë nuk ka nga askund. Nga Komuna nuk ka pasur as deri më tani ndihmë për klubet, ndërsa nuk ka as vauçerë. Deri ku dhe deri kur do të vazhdojmë, për herë të parë në 22 vjet jam pesimist dhe nuk kam më forcë,” tha Vladimir Gjorgjeviq – trajner.

Salla sportive prej vitesh është në gjendje të keqe. Në sallën e ndërtuar në vitin 1983 nuk ka as ngrohje. Në fillim të prillit, Inspektorati Shtetëror i Punës e mbylli sallën, pasi u konstatuan parregullsi, respektivisht se ekziston rrezik i drejtpërdrejtë për sigurinë. Nga Inspektorati thonë se nuk mund të hyjnë dhe të kryejnë mbikëqyrje inspektuese, pasi salla është e mbyllur, ndërsa problem kanë qenë edhe marrëdhëniet e pazgjidhura pronësore-juridike, përkatësisht nuk dihet se kush është pronari i saj. Përdorues janë disa subjekte, por me sallën menaxhon Lidhja e Sporteve dhe shkolla e mesme Niko Nestor.

The post KONTROLLI / Salla e sportit në Strugë, e mbyllur appeared first on Alsat.