Abel Brahusha është djali i dramaturgut të njohur Shkodran, Albri Brahusha, që u nda nga jeta në mënyrë të beftë një vit më parë, duke lenë në mes krijimtarinë artistike.
Kështu mbeti vepra “Kopshtet e pavarura të lumturisë”, që Abel vendosi ti japë jetë si një homazh për të atin.
“Këtë vepër e kam gjetur pak kohë pasi babai ndërroi jetë, e gjeta në laptopin e tij dhe më goditi që në titull. Komunikova me regjisorin Hervin Çuli, që ka punuar me babin edhe në 2002, kur vunë ‘Vizita e fundit’ në Trento të Italisë. Vendosa që me Çulin, ‘Kopshtet e pavarura të lumturisë’ të merrnin jetë’”, u shpreh Brahusha.
Përmes kësaj tragjikomedie, bazuar në historinë e tij personale, dramaturgu reflekton përjetimet mbi realitetin e kohës moderne. Shpesh vrapojmë të për ndjekur ëndrrat, duke vetëshkatërruar të tashmen.
“Si çdo artist tjetër, edhe babi ka futur pjesë nga jeta e tij në vepër, por secili mund ta gjejë veten aty. Tregon se tani dhe vlerat mund të shiten dhe blihen, sepse jetojmë në një sistem që na nxit më shumë të konsumojmë se sa të prodhojmë gjëra që na vlejnë të gjithëve”, tha Brahusha.
Kopshtet e pavarura të lumturisë u shfaq për publikun mbrëmjen e kaluar në Teatrin Kombëtar, nën regjinë e Hervin Çulit.
“Unë e kam pasur mik Albrin dhe vepra është një homazh për këtë autor që ishte sa kontestator, po aq kishte dhe shenjat e një gjenialiteti. Është një poezi dashurie, njëkohësisht është një shfaqje që godet botën robotike ku ne po jetojmë”, u shpreh regjisori.
Personazhet e Brahushës arrijnë kufijtë e absurdit kur tregtojnë ëndrrat, gjumin dhe ndjenjat.
“Vuante shumë për kohën në të cilën jetojmë. Shpesh herë i thoshim njëri-tjetrit që ‘ndoshta nuk i përkasim më kësaj kohe’. Kishte një urrejtje për bankat, këtë pjesën si veprojnë këto ndërmarrje të mëdha”, shtoi Çuli.
Një histori që të bën të reflektosh, shfaqja do të vijojë edhe për dy ditë në Teatrin Kombëtar.
“Mendoj se ishte dhurata e tij e fundit për teatrin shqiptar dhe për mua”, përfundoi Brahusha.
The post “Kopshtet e pavarura të lumturisë”/ Vepra e Albri Bahushës vendoset në skenë nga i biri pas ndarjes nga jeta appeared first on Alsat.

