Gazetar: Mihajllo Donev

Partitë politike dhe kandidatët e pavarur për kryetarë komunash që garojnë në raundin e dytë po hyjnë në fazën finale të fushatës. Javën e ardhshme ata pritet të përcjellin mesazhet përfundimtare me të cilat do të përpiqen të bindin votuesit të dalin dhe të hedhin votën e tyre për ta. Sipas komunikologëve fushata duhet të fokusohet te oferta për qytetarët dhe jo diskreditimi i kundërshtarit.

“Narrativi i politikanëve, partive dhe kandidatëve duhet të jetë konsistente dhe njerëzore. Pikërisht ajo për të cilën apeluam në pjesën e kaluar të fushatës – përdorimi i tepërt i diskreditimit, fyerjeve, fushatës së zezë, ka treguar se nuk i motivon votuesit të votojnë dhe nuk do të bëjë ndryshime të rëndësishme. Ka treguar se ndoshta po, do të sjellë fitues dhe humbës, por në pasqyra afatgjatë nuk do të jetë e mirë për askënd”, tha Bojan Kordallov- komunikolog.

Megjithatë, Kordallov nuk përjashton mundësinë që me afrimin e ditës së votimit të intensifikohet fushata e zezë.

“Fushata e zezë nuk do të mungojë, megjithatë, mendoj se do të nxirren leksione nga raundi i parë dhe mendoj se partitë më në fund do ta kuptojnë se nevojitet ofertë politike dhe komunikim i mirë politik me votuesit. Jo krekosje, jo mesazhe egocentrike, jo komunikim i stilit “ju jeni të nënshtruarit e mi kurse unë jam sundimtari juaj”, por komunikim që do të thotë se ata janë menaxherët dhe menaxheret më të zakonshëm, në thonjëza “shërbëtorë të popullit”. Një komunikim i tillë kërkohet nga fushata, një komunikim i tillë kërkohet për katër vitet e ardhshme, aktivitete të tilla kërkohen”, tha Bojan Kordallov- analist.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet në 33 komuna. Ndërkaq për shkak të mos sigurimit të censusit zgjedhjet do të përsëriten në katër komuna, Gostivar, Vrapçisht, Mavrovë dhe Rostushë dhe Qendër Zhupë. Raundi i dytë i zgjedhjeve të teta lokale që nga pavarësia do të mbahet më 2 nëntor./Alsat.mk

 

The post Kordallov: Kandidatët për kryetarë komune të përqendrohen te qytetarët appeared first on Alsat.