Një prekje e lehtë e Kerim Akturkoglut doli të jetë goditje e rëndë për Kosovën. Goditje që i dha fund ëndrrës së miliona shqiptarëve për paraqitje në Kampionatin Botëror që pas pak javësh fillon në SHBA, Meksikë e Kanada.

Akturkoglu shënoi gol në minutën ef 53-të për fitoren 1:0 të Turqisë ndaj Kosovës, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”. Ishte finale e plejofit evropian për kualifikim në Kupën e Botës.

Kështu, Kosova u ndal në pengesën e fundit në rrugën e gjatë për në Botëror. Është një eliminim i dhimbshëm por edhe i denjë e me nder. “Dardanët” kanë luftuar deri në fund në një ndeshje thuajse të barabartë. Dhe mund të jenë krenarë për paraqitjen e po ashtu për rrugëtimin historik. Rrugëtim që jep shumë shpresë se kualifikimet e ardhshme, për Evropian, do të jenë të Kosovës.