Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë se deri më 30 nëntor partitë politike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit duhet ta njoftojnë Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.
E koalicioni vlen deri në certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.
“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ-së. Gjithashtu, partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marr pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, ka thënë Elezi.
Deri tash, nuk ka pasur konfirmime zyrtare për ndonjë koalicion të madh mes partive.
Përtej këtyre afateve, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj e sheh si problem edhe vetë datën e mbajtjes së zgjedhjeve – 28 dhjetorin.
Sipas Jakajt, meqë zgjedhjet do të mbahen tri ditë para se të përfundojë viti, do të ketë probleme me rekrutimin e stafit që kujdesen për mbarëvajtjen e procesit.
“Personeli ndërkombëtar nuk do të jetë në Kosovë që t’i monitorojë këto zgjedhje, sikurse ka qenë në secilat palë zgjedhje. Pra do të kemi mungesë të stafit në monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme. Në ndërkohë do të jetë problematike përzgjedhja e komisionerëve, vëzhguesve që do duhet t’i ketë Komision Qendror Zgjedhor gjatë administrimit të procesit zgjedhor”, ka thënë Jakaj.
Madje Jakaj thotë se problematike do të jetë edhe ruajtja e materialit zgjedhor në natën e fundit të vitit.
Në një përgjigje të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë për Kosovapress-in kanë thënë se ende nuk është marrë vendim se a do të angazhohen monitorues.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, ishin të angazhuar rreth 450 monitorues të huaj nga organizata joqeveritare e misione diplomatike në Kosovë.
BE-ja pati angazhuar 104 vëzhgues. Staf, në zgjedhjet e kaluara patën dërguar edhe ambasada e Britanisë, Shteteve të Bashkuara, Japonisë, Turqisë e Shqipërisë.
The post KOSOVA / Partitë politike kanë në dispozicion edhe një javë për ta njoftuar Komisionin Qendror Zgjedhor për koalicionet e mundshme appeared first on Alsat.
