Kombëtarja shqiptare e Kosovës zbret sonte në fushë për një nga ndeshjet më të rëndësishme në historinë e saj. Në stadiumin Fadil Vokrri, ‘Dardanët’ përballen me Turqinë në një finale që vendos fatin e kualifikimit për Kupën e Botës 2026.
Atmosfera në kryeqytet pritet të jetë elektrizuese, me tifozët që do të mbushin çdo ulëse dhe janë gati të shtyjnë ekipin drejt një arritjeje historike.
Nën drejtimin e përzgjedhësit, Franco Foda, Kosova ka ndërtuar një skuadër konkurruese, të përzier me përvojë dhe talent të ri.
Përzgjedhësi i Kosovës, pritet t’i besojë një formacioni të balancuar. Në portë konfirmohet Arijanet Muric, ndërsa mbrojtja me tre lojtarë, Lumbardh Dellova, Kreshnik Hajrizi dhe Albian Hajdari – synon stabilitet dhe disiplinë ndaj një sulmi të rrezikshëm turk.
Në krahë, Mërgim Vojvoda dhe Dion Gallapeni Hoxha pritet të kenë rol të dyfishtë, si në mbrojtje ashtu edhe në fazën ofensive. Mesfusha me Elvis Rexhbecajn, Veldin Hoxhën dhe Florent Muslijën.
Në sulm, përzgjedhësi Foda i beson dyshes Fisnik Asllani dhe Vedat Muriqi, me këtë të fundit si pika kryesore referuese e skuadrës.
Në anën tjetër, trajneri i Turqisë, Vincenzo Montella, pritet të hedhë në fushë një ekip me shumë cilësi teknike. Ugurcan Cakir është zgjedhja në portë, ndërsa mbrojtja përbëhet nga Ferdi Kadioglu, Abdulkerim Bardakci, Samet Akaydin dhe Mert Muldur.
Mesfusha drejtohet nga Hakan Calhanoglu dhe Ismail Yuksek, duke kombinuar përvojën me balancën taktike.
Në repartin sulmues, Turqia mbështetet te talentet si Kenan Yildiz dhe Arda Guler, të cilët do të mbështesin sulmuesit tjerë me përvojë si Baris Alper dhe Kerem Akturkoglu.
