Në Kosovë në atmosferë festive besimtarët e shumtë u mblodhën në orët e hershme të mëngjesit për faljen e namazit të Kurban Bajramit. Oborret e xhamive ishin të mbushura me besimtarë, të cilët përcollën mesazhe paqeje, solidariteti dhe afirmiteti mes njerëzve. Manifestimi qendror u mbajt në “Xhaminë e Madhe” në Prishtinë. Thirrjet për unitet, dashuri e solidaritet ishin në qendër të mesazhit të myftiut të Kosovës, Naim Tërnava. Ai tha se Kosova ka nevojë për stabilitet ekonomik e politik, institucione funksionale dhe përgjegjësi shtetërore, derisa kritikoi përplasjet politike dhe interesat e ngushta partiake. Tërnava tha se qytetarët janë lodhur nga konfliktet e vazhdueshme politike dhe zgjedhjet e njëpasnjëshme, të cilat, sipas tij, kanë krijuar pasiguri për të ardhmen.
“Vendi ka nevojë për stabilitetin ekonomik e politik dhe institucione funksionale e përgjegjësi shtetërore. Fatkeqësisht, interesat e ngushta grupore, përplasjet e pafundme të partive tona, kanë lodhur qytetarët tanë dhe kanë krijuar pasiguri për të ardhmen. Mbajtja e zgjedhjeve të njëpasnjëshme, mungesa e unitetit institucional, nuk i shërbejnë Kosovës, por dobësojnë besimin qytetar dhe zbehin shpresën e brezit të ri. Nuk mund të ketë interes më të madh se interesi i atdheut. Nuk mund të ketë armiqësi personale mbi fatin e Kosovës. Stabiliteti i shtetit dhe mirëqenia e qytetarit janë përgjegjësi historike që kërkojnë maturi, urtësi dhe vizion kombëtar”, tha Naim Tërnava, Mytfti i Kosovës.
Tërnava bëri thirrje që fushata për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor në Kosovë të zhvillohet me maturi dhe dinjitet, duke u bazuar në ide dhe vizion. Ndërsa ftoi edhe qytetarët që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm./Alsat.mk.
The post Kosovë / Uniteti, dashuria e solidariteti ishin në fokusin e mesazheve në Ditën e Kurban Bajramit appeared first on Alsat.
