Revolta e mjekëve dhe të punësuarve në spitalin për fëmijë “Kozle” nuk ka të sosur. Ankesat kanë nisur që në kohën kur u zgjodh drejtoresha e re Karolina Simonovska, për të cilën ankohen punonjësit. Mes shqetësimeve të shumta, në një letër të hapur drejtuar kryeministrit dhe ministrit të shëndetësisë, një grup i mjekëve shprehin shqetësimin se drejtoresha e re po e shkatërron kabinetin e bronheoskopisë, ku pas mosmarrëveshjeve, ka pasur një sërë dorëheqjesh dhe largime nga puna të personelit profesional.
Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari i konfirmoi TV21 se e pranuar letrën dhe se thotë se do të flasë edhe me drejtoreshën për këtë çështje.
Për këtë çështje TV21 e pat pyetur Taravarin edhe në fillim të tetorit, i cili pat thënë se nëse konfirmohet sjellje e keqe nga ana e drejtoreshës, do të ndërmerren masa nga Ministria e Shëndetësisë. Po edhe pas kësaj, drejtoresha Simonovska mbeti në detyrën e saj.
Për këto shqetësime ka pasur edhe reagime politike. Muaj më parë këto shqetësime i pat ngritur LSDM-ja, ndërsa sot përmes një reagimi me shkrim Aleanca për Shqiptarët pjesë e Frontit Euorpian, akuzoi se “në Klinikën e Kozles, drejtoresha Karolina Simonovska, u bën terror të punësuarve”, ndërsa sipas ASH-së, Taravari ka frikë ta shkarkojë. “Nëse ka pak dinjitet dhe nuk është ushtar i verbër si deri më tani, ai duhet të jap dorëheqje së bashku me drejtorët e tij të paaftë” thonë nga ASH-Sela.
