Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, është thellësisht i bindur se me masën e Bankës Qendrore për uljen e pjesëmarrjes për blerjen e banesës së parë për banim, do të ulen edhe kamatat e kredive me të cilat do të blihen këto banesa. Edhe pse logjika bankare është se sa më e ulët të jetë pjesëmarrja, aq më të ashpra kushtet dhe aq më të larta interesat dhe rreziku për bankat, guvernatori beson se kjo logjikë nuk do të vlejë në Maqedoni. Sipas tij masa me të cilën pjesëmarrja për blerjen e këtyre banesave ulet nga 15 në 10 për qind, ndërsa për blerjen e banesës së dytë apo çdo banese pasuese rritet në 25 për qind, do të japë rezultate.
“Zotëri Temenugov, gjithçka është relative. Ja, merrni për shembull nëse tani ju mundeni me, ja, 10 mijë euro në kundërvlerë denari, për një banesë më të vogël që s’ka pse të jetë në qendër të Shkupit, të hyni në zgjidhjen e çështjes suaj të banimit. Nëse, në vend të 10, ju duhen 20 mijë euro, do t’ju duhet t’i huazoni diku, për çka do të paguani kamatë ose, le të themi, nga më të afërmit, familjarët, miqtë ose kredi konsumatore që prapë është shpenzim. Dua të them se nuk ka asnjë argument që kjo të mos jetë më e favorshme ose që të mos ishte më e favorshme për ata që kanë të pazgjidhur çështjen e banimit”, tha Trajko Sllaveski, guvernator i Bankës Popullore.
Guvernatori thotë se bankat kanë kohë 2,5 muaj të përshtaten me masën dhe të ofrojnë kushte më të mira për blerjen e banesës për banim. Për momentin nuk ka asnjë informacion nëse kamatat do të ulen për këto lloj kredish.
“Ajo që dua të theksoj, përsëri, ne nuk jemi institucion që i përcakton në këtë moment normat e interesit, por tregojmë një praktikë botërore, e cila bazohet në vlerësimin e rrezikut, se familjet që për herë të parë blejnë një banesë dhe jetojnë në të, ose një shtëpi, janë rrezik më i ulët nga aspekti i shlyerjes së detyrimeve dhe, nga kjo, kudo në botë, marrin kushte më të favorshme nga bankat komerciale, dhe këtë e presim edhe nga bankat tona komerciale”, pohoi Trajko Sllaveski, guvernator i Bankës Popullore.
Masa për uljen e pjesëmarrjes për blerjen e banesës do të hyjë në fuqi më 1 dhjetor të këtij viti.
