Gazetar: Zekirija Haxhiu
Kreu i LSDM-së Venko Filipçe me një sërë kritikash ndaj Qeverisë. Ai tha se janë vonuar pagat e lehonave, janë vonuar të hollat nga TVSH-ja ndërsa vreshtarët janë manipuluar me pagesën e rrushit. Filipçe paralajmëroi se pensionistët mund të ngelin pa pensione sepse Qeveria nuk ka respektuar zgjidhjen ligjore nga koha e LSDM-së e cila siç tha, tani pensionistëve do u siguronte rritje mbi 1200 denarë.
“Më tepër se 50% nga shuma e përgjithshme që Fondi duhet t’ua paguaj pensionistëve për pensionet e tyre nuk vjen nga Fondi për Sigurim por i subvencionon Qeveria sepse Fondi nuk i ka ato të holla. Tani shtrohet tjetër çështje serioze, cila është siguria e punëtorëve të cilët çdo muaj me kontributet e tyre e mbushin fondin për sigurim pensional. Ku janë paratë e tyre? Cila është siguria se pensionistët e ardhshëm do të kenë pensione të rregullta kur është e qartë se nuk dihet ku shkojnë të hollat”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Filipçe tha se kanë filluar të mbyllen kompanitë e huaja ndërsa investimet kapitale kanë shënuar ulje. Sipas tij nga 800 milion euro, investimet e huaja kanë rënë në vetëm 200 milion euro
“Është blerë rrymë për çmim shumë më të lartë se sa që do të ishte nga prodhimi i EMV-së. Nëse prodhimi i një megavat orë shënon rreth 80,85 deri 90 euro, ata blejnë rrymë për 140 euro për megavat orë. Janë harxhuar 62 milion euro që të sigurohet kjo rrymë për nevojat e qytetarëve”, tha Venko Filipçe – Kryetar i LSDM-së.
Filipçe tha se nuk kanë asnjë gisht në veprimet dhe vendimin që pritet në Gjykatën Kushtetuese sa i përket pensioneve, ku u konstatua se është bërë diskriminim mbi pensionistët që nuk jetojnë në Maqedoni, e të cilët nuk kanë marrë rritje lineare të pensioneve./Alsat.mk
The post Kreu i LSDM-së Venko Filipçe kritikoi veprimet e fundit të Qeverisë lidhur me pensionet, me bujqësinë, energjetikën dhe investimet e huaja appeared first on Alsat.
