Maqedonia, pas 25 vitesh në pritje për Bashkimin Evropian, ende është në të njëjtin pikë nisëse, tha kryeministri Hristijan Mickoski për Euronews, pasi vendi mori raportin negativ nga Komisioni Evropian. Ai nuk foli për arsyet e përkeqësimit apo çfarë do të bëhet për të përmirësuar këto vlerësime të këqija, por theksoi pse vendi ka ngecur në rrugën drejt BE-së. “Nëse vendet që duan t’i bashkohen BE-së keqtrajtohen vazhdimisht me veto nga një vend tjetër, atëherë shkatërrohen të gjitha parimet dhe vlerat mbi të cilat është ndërtuar Unioni,” tha ai.

“Jemi në të njëjtin vend ku ishim para dy e gjysmë dekadash. Pse? Sepse një kufizim i ri është para nesh përsëri, dhe ai është ndryshimi i Kushtetutës. Nëse e bëjmë këtë, a do të jetë i fundit apo ndoshta do të ketë të tjera në të ardhmen? Pse duhet të fusim disa qindra qytetarë në Kushtetutën tonë?”, tha Mickoski

Por për vlerësimet e Komisionit Evropian erdhën kritika të ashpra nga opozitarja LSDM. Ky raport është më i keqi që kemi marrë deri tani nga BE-ja pas një viti e gjysmë qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, theksoi kryetari i socialdemokratëve, Venko Filipçe. Sipas tij, mosplotësimi i kërkesës për ndryshimet kushtetuese është një gjë, por krejt tjetër është përkeqësimi në të gjitha fushat, sidomos në agjendën reformuese. Filipçe gjithashtu pyeti pse Qeveria nuk parashikoi fonde të mjaftueshme në buxhet për të zbatuar planin e rritjes.

“Publikimi i Raportit për progresin me vlerësimin se Maqedonia nuk ka arritur përparim në rrugën evropiane na dërgoi një mesazh të qartë ku po lëviz vendi ynë gjatë një viti e gjysmë të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Ky raport është praktikisht më i keqi që kemi marrë gjatë dhjetë viteve të fundit dhe ndez një alarm serioz për të ardhmen dhe perspektivën e shtetit”, tha Filipçe.

Nga BDI dhe VLEN nuk kanë dërguar qëndrime lidhur me raportin e Komisionit Evropian. Ndërkaq dje komisionerja evropiane Marta Kos përmendi Maqedoninë së bashku me Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën, duke thënë se raporti është negativ dhe nuk ka përparim në reforma.